Më 15 shtator 2017, përfaqësuesit e NOU dhe Ministrisë së Mjedisit kryen një aktivitet interesant në shkollën fillore “Protagonistet” të kryeqytetit. Aktiviteti u organizua nën moton: “Kujdesi për gjithë jetën nën diell”. Në pjesën e parë të aktivitetit u shfaqën video për fëmijët e vegjël si “Kujdestarët e Galaktikës; Heronjtë e Ozonit (2017)”, “Ozzy Ozone” dhe “Vrima dhe Shtresa e Ozonit”. Përfaqësuesit e NOU në bashkëpunim me mësuesit e shkollave u shpjeguan fëmijëve se çfarë është shtresa e ozonit dhe pse ajo duhet të mbrohet.

Në pjesën e dytë të aktivitetit, u organizua ekspozita e pikturës me veprat e nxënësve të shkollës. Në këtë ekspozitë u paraqitën 50 piktura. Disa nga veprat u paraqitën në park ku fëmijët diskutuan për mesazhin që ata përcillnin. Ndërkohë pikturat e tjera u prezantuan në ambjentet e shkollës. Në pikturat e nxënësve mbizotëronte dashuria për një jetë më të shëndetshme, dëshira e tyre për të mbrojtur shtresën e ozonit dhe mesazhin për një përpjekje të përbashkët drejt këtij synimi. Ajo që u dallua në veprat e paraqitura në ekspozitë ishte apeli që nxënësit iu drejtuan prindërve dhe mësuesve: “Të mbrohemi nga dielli”. Në fund të aktivitetit fëmijët luajtën dhe kërcyen në një rreth dhe bënë lëvizje të përbashkëta bashkë me mësuesit e tyre nën tingujt e muzikës. Nxënësit dhe mësuesit u vlerësuan me bluza me logon e Ditës Botërore të Ozonit 2017.

Drejtoresha e shkollës fillore “Protagonisti”, znj. Tatjana Dodbiba theksoi se informimi dhe edukimi i fëmijëve përmes argëtimit është një sukses, i cili arrin edhe familjet e tyre. Aktivitetet e kryera në këtë shkollë i informuan fëmijët në një mënyrë krijuese dhe argëtuese, duke pasur parasysh se është “më mirë të parandalosh sesa të kurosh”. Në perfundim, të gjitha posterat, “Ozzy Ozone”, “Ozone Heroes” libra dhe lojëra, buletine informative iu shpërndanë të gjithë nxënësve dhe mësuesve.