Z. Lefter Koka

Zhvillimi i vrullshëm urban, deri diku kaotik, gjatë këtyre viteve të gjata të tranzicionit i ka shkaktuar jo pak dëme ekosistemit. Prej kohësh kemi mësuar të bashkëjetojmë me retorikën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik duke i qëndruar tejet larg përkthimit të kësaj retorike në veprime konkrete.

Kriza më e fundit financiare si dhe rritja e ndjeshme në nivel global e çmimit të mallrave të konsumit ka nxitur debate të shumta në nivel europian dhe botëror përsa i përket modelit aktual të zhvillimit ekonomik, një model i bazuar fund e krye në konsumin e vazhdueshëm dhe në rritje të burimeve natyrore, pa marrë aspak për bazë limitet e ekosistemit.
Problemi në vendin tonë, përsa i përket ndërtimit të një modeli të zhvillimit të qëndrueshëm, është disi më kompleks krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Duhet theksuar se vitet e fundit ka patur një përafrim të ndjeshëm të legjislacionit shqiptar me atë europian përsa i përket çështjeve të mjedisit, por fatkeqësisht, krahas nivelit jo fort të pëlqyeshëm të implementimit, vihet re një ndërgjegjësim i ulët i aktorëve dhe faktorëve të përfshirë në proces.

Ndryshimi i mënyrës se si shoqëria menaxhon ndërveprimin e sferës ekonomike me atë mjedisore kërkon hartimin dhe implementimin e një strategjie multi-sektoriale. Angazhimi im në detyrën e Ministrit të Mjedisit është për një rehabilitim rrënjësor, për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm, të integruar dhe të përgjegjshëm të ambientit. Pa dashur të cilësoj si të gabuar çdo veprim të ndërmarrë ose jo në të shkuarën, besoj se nevojiten një sërë masash urgjente për të ndaluar disa veprime të papërgjegjshme që shumë shpejt mund të përkthehen në katastrofa mjedisore. Sfida ime personale është parandalimi i çdo problemi mjedisor nëpërmjet koordinimit dhe integrimit të veprimtarisë me çdo institucion tjetër të përfshirë në proces si dhe edukimi i vazhdueshëm i brezave të rinj mbi rëndësinë e mbrojtjes së ekosistemit.

Në kuadrin e kalimit drejt një ekonomie të gjelbër, Bashkimi Europian ka hartuar një plan strategjik përsa i përket politikave mjedisore bazuar në 9 objektiva kryesorë që duhet të implementohen brenda vitit 2020. Ajo çka është më e rëndësishme lidhet me ndërgjegjësimin gjithmonë e në rritje të Komisionit Europian se kufijtë kombëtarë nuk mundet kurrsesi të kufizojnë problemet ambientale, duke i dhënë një tjetër peshë adresimit të sfidave mjedisore edhe përtej kufijve të Bashkimit Europian. Një hap tejet i rëndësishëm në procesin e hartimit dhe implementimit të politikave të nevojshme mjedisore është gjithashtu mbledhja në kohën e duhur e një informacioni të besueshëm përsa i përket komponentëve kryesorë të mjedisit duke paraqitur kështu gjendjen reale të treguesve të ajrit, ujit, tokës, biodiversitetit, zhurmës, etj, element ky jo fort i besueshëm deri sot bazuar në të dhënat zyrtare të publikuara.

Nëse do t’i referoheshim progres-raportit më të fundit të Komisionit Europian për Shqipërinë mbi mjedisin dhe ndryshimet klimaterike, niveli i implementimit të legjislacionit në fuqi vazhdon të jetë tejet i ulët. Nevojitet integrim i plotë dhe i shpejtë i politikave mjedisore me politika të tjera zhvillimore, kryesisht në fushën e energjisë dhe transportit. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe forcimi i kapaciteteve administrative janë elementë thelbësorë në targetimin e problemeve ambientale.

Situata aktuale mjedisore në vend kërkon marrjen e disa masave urgjente duke filluar me shtimin e sipërfaqeve të gjelbra në zonat urbane, bashkëpunimin e plotë me donatorët ndërkombëtarë për parandalimin e problemeve mjedisore që kërcënojnë shëndetin e banorëve dhe sensibilizimin e banorëve në këtë aspekt, fillimin e një fushate intensive për rritjen e ndjeshmërisë ndaj ambientit dhe përfshirjen e brezave të rinj në mirëmenaxhimin dhe zhvillimin e tij, ndërtimin me ritme të përshpejtuara të fushave të depozitimit dhe përpunimit të mbeturinave duke nisur nga qytetet e mëdha e deri në nivel komunash, ndalimin e prerjeve të pakontrolluara të pyjeve si dhe rigjallërimin e parqeve dhe zonave të mbrojtura.

Ministria që unë drejtoj po angazhohet maksimalisht në hartimin e një modeli të qëndrueshëm të zhvillimit mjedisor kombëtar. Në terma më pak teknikë, përmirësimi kryesisht i implementimit të politikave mjedisore do të përkthehej në një ekosistem më të shëndetshëm dhe ambient më pak të ndotur, në përdorimin më efiçent të burimeve natyrore si dhe në një prani më të madhe të produkteve bio për konsumatorin Shqiptar.