Shtresa Ozonit

Atmosfera e Tokës përbëhët nga 5 shtresa, të cilat janë: troposfera, stratosfera, mezosfera, termosfera dhe egzosfera. Pjesa më e madhe e ozonit gjendet në stratosferë.

Shtresa e ozonit përfaqëson përqëndrimin më të lartë të molekulave të ozonit në stratosferë. Kjo shtresë është 10 – 20 km e trashë dhe e mbështjellë rruzullin tokesor duke filtruar dhe penguar depërtimin e rrezeve të dëmshme ultraviolet në sipërfaqen e tokës.  Shtresa e Ozonit është jetësore për planetin tonë.

Ozoni është gaz dhe ka aromë të vecantë dalluese. Komponimi kimik i një molekule ozon përmban tre atome oksigjen, O3. Ky gaz karakterizohet nga një paqëndrueshmëri dhe aktivitet i lartë kimik pasi zbërthehet lehtësisht nën efektin e komponimeve me përmbajtje klori, azoti dhe hidrogjeni në O2 dhe O (oksigjen atomik).

Atmosfera përbëhet nga disa shtresa me karakteristika të ndryshme . Në kontekstin e shfrytëzimit të shtresës së ozonit, dy shtresat më të ulëta të atmosferës janë më të rëndësishmet Këto shtesa janë:

  • Troposfera: që shtrihet nga sipërfaqja e Tokës deri në një lartësi prej rreth 10 km.
  • Stratosfera: e cila zë intervalin 11-45 km mbi sipërfaqen e tokës. Struktura e temperaturës në këtë shtresë është e ndryshme nga ajo e troposferës, kryesisht për shkak të pranisë së ozonit i cili përthith energji diellore dhe e çliron atë si nxehtësi. Në stratosferë gjëndet  90% e sasise se ozonit, prandaj kjo shtresë është quajtur edhe shtresa e ozonit.

Efektet që shkakton dëmtimi i shtresës së ozonit

Shtresa e ozonit ka funksion mbrojtës nga efektet e dëmshme të rrezeve diellore dhe veçanërisht atyre UV-B. Për çdo 1% të vlerës së hollimit të shtresës së ozonit stratosferik, ekspozimi ndaj dëmtimeve nga rrezatimi ultraviolet rritet nga 1.5 deri në 2 përqind. Disa nga efektet negative te  të shkaktuara nga dëmtimi shtresës së ozonit janë:

  • Rritja e vazhdueshme e ekspozimit ndaj rrezeve UV-B mund të shkaktojë tek njeriu një dëmtim të sistemit imunitar, të stukturës së ADN-së, rritje të prekshmërisë nga sëmundje infektive, kancer të lëkurës, çrregullim të sistemit imunitar, sëmundje të syve deri në humbje të shikimit
  • Dëmtime në ekosistemin detar dhe organizmat e botës ujore, përfshirë peshqit apo dhe bimët ujore. Hollimi i shtresës së ozonit ka efekte direkte ne uljen e aftesise riprodhuese te peshqve dhe gjallesave te tjera detare.
  • Dëmtime të bimëve dhe të  pyjeve si dhe të përmbajtes së tyre ushqyese.

Cfarë është Vrima e ozonit?

Studimet shkencore  kanë evidentuar një hollim të shtresës se ozonit sidomos ne Antarktidë. Ky hollim i shtresës se ozonit, mendohet që është shkaktuar ne periudhen kohore te viteve 1970 dhe 1990. Ky fenomen quhet “Vrima e Ozonit”. Në vitin 2016, vrima e ozonit në Antarktidë arriti përmasat rekord me  një diametër rreth 27 milion km².

Si rezultat i studimeve shkencore dhe punës kërkimore, u arrit në konkluzionin se dëmtuesit kryesorë të shtresës se ozonit janë gazet të cilat në përmbajtjen e tyre kanë klor.  Këto gaze, kur arrijnë në stratosferë dhe bien në kontakt me ozonin, shkaktojnë hollimin e shtresës së ozonit. Për të kuptuar  më mirë impaktin që kanë këto substanca në shtresën e ozonit, vlen të përmendet se një atom klor shkatërron 100 mijë atome ozon.

Studimet gjithashtu kanë evidentuar se ritmi i hollimit të shtresës së ozonit veçanërisht pas viteve 1995, është në masën 1% në vit. Nësë ky ritëm do të ishte  i vazhdueshëm, mendohej se në 50 vitet e ardhshme shtresa e ozonit do të reduktohej në masën 50% dhe për pasojë kjo do të sillte edhe shkatërrimin e jetës në planet.

Si rrjedhojë e këtyre vlerësimeve të pasojave katastrofike që shkaktojnë gazet ftohëse me përbërje klori në hollimin e shtresës së ozonit, organizmat ndërkombëtare parashtruan me urgjencë domosdoshmërinë për marrjen e masave për ruajtjen e shtresës se ozonit. Dy aktet themelore të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë, janë Konventa e Vjenës për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit (1985) dhe Protokolli i Montrealit mbi Substancat Ozon-holluese (1987).  Deri më sot, 197 vënde të botës  kanë ratifikuar  Protokollin e Montrealit, i cili aktualisht konsiderohet  si i vetmit Traktat Ndërkombëtar për mjedisin ku aderojnë pothuajse të gjitha shtetet e globit.

Sipas studimeve dhe analizave shkencore, nëse të gjitha shtetet palë të Protokollit të Montrealit do te përmbushin detyrimet e tyre, vlerësohet se përqëndrimi i molekulave të ozonit në stratosferë do të arrijë nivele “normale” (pra ato të vitit 1980) rreth viteve 2025-2040, por rigjenerimi i shtresës së ozonit mbi Antarktidë do të zgjasë edhe 20-30 vjet më shumë.

Gazet ftohëse që ndikojnë në dëmtimin e shtresës së ozonit

Substancat që ndikojnë në hollimin e shtresës së ozonit, ose sic quhen ndryshe substancat ozon-holluese (SOH), janë substanca kimike (kryesisht hidrokarbure të klorinuara, të fluorinuara ose bromuret) që kanë potencial të reagojnë me molekulat e ozonit në stratosferë. Substancat ozon-holluese (ODS) përfshijnë:

  • Klorofluorokarbonet (CFC)
  • Hidroklorofluorokarbonet (HCFC)
  • Hidrobromofluorokarbonet (HBFC)
  • Halonet
  • Bromoklorometan (CH2BrCl)
  • Trikloroetan (metilkloroform CCl4)
  • Tetrakloruri karbonit (CCl4)
  • Bromuri metilit (CH3Br)

Potenciali për dëmtimin e shtresës  së ozonit ODP (Ozone Depletion Potential) është vlera numerike që përfaqëson efektin potencial që çdo substancë e kontrolluar ka në shtresën e ozonit. Vlerësimi i potencialit ozon-hollues i të gjithë substancave i referohet potencialit të gazit CFC-11 (R-11), i cili është marrë si njësi referimi = 1 njësi (ODP i CFC-11 = 1).