Më 16 Shtator 2020, përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit zhvilluan një aktivitet interesant me fëmijët e “Qëndrës Komunitare të Shkozës”. Në këtë aktivitet morën pjesë 15 fëmijë të moshave 5 -10 vjeç, stafi i “Qendrës Komunitare të Shkozës” si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Tiranës. Aktiviteti u organizua nën moton: “Ozon për jetë – 35 Vjet mbrojtje e shtresës së ozonit”.

Në pjesën e parë të aktivitetit u shfaqën video për fëmijë të vegjël, të tilla si “Ozzy Ozone”, “Ozone Layer & Hole” dhe “Guardians of the Galaxy: Ozone Heroes”. Përfaqësuesit e NjKO në bashkëpunim me mësuesit e “Qendrës Komunitare të Shkozës”, ju shpjeguan fëmijëve se çfarë është shtresa e ozonit dhe pse duhet të mbrohet ajo.

Në pjesën e dytë të aktivitetit, në ambientet e jashtme të “Qendrës Komunitare të Shkozës” u organizua një ekspozitë pikture me punime të fëmijëve të kësaj Qendre. Në këtë ekspozitë u paraqitën 18 piktura në të cilat fëmijët përcollën mesazhin “Mbroni shtresën e ozonit – mbroni jetën tuaj”. Në pikturat e fëmijëve mbizotëronte dashuria për një jetë më të shëndetshme, dëshira e tyre për të mbrojtur shtresën e ozonit dhe mesazhi për një përpjekje të përbashkët drejt këtij qëllimi. Për të organizuar ekspozitën e pikturës, fëmijët u pajisën me telajo, fletë kartoni, penelë, pako me bojëra akrilike, pako me bojëra uji, spango, kapëse letre, etj.

Në fund të aktivitetit, për fëmijët u shpëndanë postera, libra, mjete pune si dhe bluza me logon e Ditës Botërore të Ozonit 2020. Gjithashtu fituesit e konkursit të pikturës u shpërblyen me çmime simbolike.