Më 17 Shtator 2020, përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit zhvilluan një aktivitet me fëmijët e “Qendrës Sociale Multidisiplinare” në Tiranë. Në këtë aktivitet morën pjesë 15 fëmijë, stafi i “Qendrës Sociale Multidisiplinare” si dhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Tiranës. .
Në pjesën e parë të aktivitetit u shfaqën video për fëmijë të vegjël, të tilla si “Ozzy Ozone”, “Ozone Layer & Hole” dhe “Guardians of the Galaxy: Ozone Heroes”. Përfaqësuesit e NjKO në bashkëpunim me mësuesit e “Qendrës Sociale Multidisiplinare”, ju shpjeguan fëmijëve se çfarë është shtresa e ozonit dhe pse duhet të mbrohet ajo.
Në pjesën e dytë të aktivitetit, fëmijët luajtën dhe vallëzuan në një rreth dhe bënë lëvizje të përbashkëta me mësuesit e tyre nën tingujt e muzikës. Përfaqësuesit e “Qendrës Sociale Multidisiplinare” theksuan se informacioni dhe edukimi i fëmijëve përmes argëtimit është një sukses, i cili arrin edhe familjet e tyre. Aktivitetet e kryera në këtë Qendër i kanë informuar fëmijët në një mënyrë krijuese dhe argëtuese, duke pasur parasysh se është më mirë të parandaloni sesa të kuroni. Në fund të aktivitetit, për fëmijët u shpëndanë postera, libra, lojëra komike “Ozzy Ozone” si dhe bluza me logon e Ditës Botërore të Ozonit 2020.