Në kremtim të Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e shtresës së Ozonit, përfaqësues të Njësisë Kombëtare të Ozonit, zhvilluan një leksion ndërgjegjësues me nxënës të klasës së XI, shkolla e mesme “Gjergj Kastrioti”, Durrës.
Gjatë këtij aktiviteti fokusi u përqëndrua në evidentimin e rëndësisë që ka Protokolli i Montrealit i cili mbart primatin e një ratifikimi universal nga 197 shtete të globit si dhe cilësohet si ngjarja më e rëndësishme në diplomacinë moderne, duke shënuar arritjen parësore të uljes me 99 përqind të sasisë së lëndëve ozonholluese nga data e hyrjes në fuqi dhe deri më sot, si rrjedhojë duke prapësuar dëmtimet dhe hollimin e shtesës sës ozonit.
Fjala përshëndetëse në këtë takim u mbajt nga mësueset Mirela Shala dhe Mimoza Risto
Gjatë pjesës së parë të këtij aktiviteti u organizuan një sërë veprimtarish ndërgjegjësuese gjatë të cilave të pranishmit u informuan gjerësisht në lidhje me rëndësinë dhe historikun e Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e shtesës së ozonit, Protokollin e Montrealit mbi substancat që hollojnë shtesën e ozonit si dhe rëndësinë që ka mbrojtja e shtesës së ozonit për zhvillimin e jetës në tokë.
Në vijim të mbylljes së pjesës së dytë të këtij aktivititeti, gjatë të cilës u shpërndanë bluza dhe materiale informuese, nga ana e përfaqësuesve të Njësisë Kombëtare të Ozonit nxënësve ju sugjerua që nëpërmjet rrjeteve sociale të marketohej kremtimi i Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e shtresës së Ozonit.