Më 18 Shtator 2020, përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit zhvilluan fushatën ndërgjegjësuese “Ozoni për jetë – 35 vjet mbrojtje e shtresës së ozonit” kushtuar 16 Shtatorit 2020 – Dita Botërore e Ozonit. Qëllimi kryesor i fushatës ishte tërheqja e vëmendjes së nxënësve drejt informacionit në lidhje me mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe faktorëve që kanë shkaktuar dëmtimin e saj. Ky aktivitet u mbajt në shkollën profesionale “Gjergj Canco” në Tiranë.

Gjatë pjesës së parë të fushatës ndërgjegjësuese u mbajtën një numër aktivitetesh sensibilizuese. Programi përfshinte aktivitetet si më poshtë:

  • Një leksion I hapur lidhur me “35 vjet mbrojtje të shtresës së ozonit” si dhe “Konventa e Vjenës dhe Protokolli i Montrealit mbi substancat që dëmtojnë shtresën e ozonit”;
  • Informacione rreth Ditës Botërore të Ozonit, prezantimi i temës dhe posterave të përgatitur nga Sekretariati Ozonit me rastin e Ditës Botërore të Ozonit, 2020;
  • Shfaqja e videove lidhur me rëndësinë e mbrojtjes së shtresës së Ozonit – “Dita Botërore e Ozonit 2020 – Ozon për jetë” dhe “Çdo gjë që ka ndodhur me vrimën e ozonit”.

Në fund të aktivitetit, për nxënësit u shpëndanë stilolapsa, fletore dhe informacione të shtypura të përgatitura nga NjKO si dhe bluza me logon e Ditës Botërore të Ozonit 2020.