31 vite më përpara, më 16 shtator 1987, u nënshkrua Protokolli i Montrealit mbi Substancat që hollojnë shtresën e Ozonit, qëllimi parësor i të cilit është mbrojtja e shtesës së ozonit nëpërmjet instrumentit të eliminimit gradual të konsumit dhe prodhimit të lëndëve ozon holluese.
Në kremtim të kësaj dite, përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit organizuan një aktivitet sportiv në ambientet e shkollës “Gjon Buzuku” në Tiranë.
Duke vlerësuar si primare rritjen e ndërgjegjësimit mbi dëmtimin e shtesës së ozonit dhe rendësisë që mbart kjo problematikë mjedisore, ky aktivitet u organizua në dy sesione.
Gjatë zhvillimit të pjesës së parë, të pranishmit u informuan gjerësisht në lidhje me rëndësinë dhe historikun e Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e shtesës së ozonit, Protokollin e Montrealit mbi substancat që hollojnë shtesën e ozonit si dhe rëndësinë që ka mbrojtja e shtesës së ozonit për zhvillimin e jetës në tokë.
Pjesa e dytë e këtij aktiviteti u organizua me lojëra popullore dhe sportive, nën drejtimin dhe udhëheqjen sportive të trajnerëve znj. Enkeleda Braho dhe z. Eldo Xhija.