Përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, organizuan në shkollën e mesme “Aristoteli” në Tiranë , një aktivitet sensibilizues në kremtim të Ditës Ndërkombëtare për mbrojtjen e shtresës së Ozonit. Ky aktivitet ishte pjesë e ceremonisë së organizuar për hapjen e vitit të ri shkollor 2018-2019.

Në fjalën e tyre, përfaqësuesit e Njësisë Kombëtarë të Ozonit, parashtruan për prindërit, nxënësit dhe mësuesit e pranishëm, një prezantim lidhur me Ditën Ndërkombëtare për Ruajtjen e Shtresës së Ozonit, Protokollin e Montrealit mbi Substancat që dëmtojnë shtresën e ozonit, shkaqet kryesore të dëmtimit të shtresës së saj si dhe rëndësinë e mbrojtjes së shtesës së ozonit.

Drejtoresha e shkollës, znj. Entela Jorgji, nënvizoi rëndësinë që shkolla “ Aristoteli” dhe stafi akademik i kushtojnë mbrojtjes së mjedisit, mbrojtjes së shtresës së ozonit si dhe çështjeve që lidhen me ndryshimevet klimatike.

Në pjesën e dytë të aktivitetit, përfaqësuesit e NjKO, në bashkëpunim me mësuesit dhe znj.Jorgji, mirëpritën nxënësit në hyrje të shkollës nga ku shpërndanë fletëpalosje dhe mjete shkollore të printuara me logon e Ditës Botërore të Ozonit 2018.