
Amendamenti i Kigalit dhe refrigerantët me GWP të ulët në sektorin e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar
26/10/2026Gazi ftohës i përdorur mund të rikthehet në treg me të njëjtën cilësi si gazi i ri. Si bëhet kjo në praktikë dhe çfarë kërkon ndërtimi i një sistemi të suksesshëm? Këto ishin në qendër të vizitës studimore që përfaqësues të Njësisë Kombëtare të Ozonit të Shqipërisë zhvilluan në Poloni më 6–7 tetor 2026, të organizuar nga UNIDO në bashkëpunim me Fondacionin PROZON.
Programi përfshiu Qendrën 4R të PROZON-it, që merret me rikuperimin, riciklimin, rigjenerimin dhe ripërdorimin e gazeve ftohëse, dhe kompaninë SARPI, e specializuar në trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve industriale dhe të rrezikshme.
Në PROZON, pjesëmarrësit u njohën me një veprimtari të zhvilluar industriale, e cila e kthen gazin e përdorur në produkt me vlerë tregtare. Teknologjitë e përpunimit dhe ndarjes së përzierjeve, të mbështetura nga analizat laboratorike, mundësojnë rikthimin e gazeve në përdorim sipas standardeve të cilësisë së gazit të ri.
Kjo veprimtari merr rëndësi të veçantë ndërsa HFC-të reduktohen gradualisht sipas Amendamentit të Kigalit. Rigjenerimi krijon një burim plotësues furnizimi për mirëmbajtjen e pajisjeve ekzistuese, ul nevojën për prodhim të ri dhe, së bashku me rikuperimin, kontribuon në reduktimin e emetimeve.
Por modeli i sotëm i PROZON-it nuk u ndërtua menjëherë. Drejtuesit ndanë përvojën nga fillimet, kur tregu kishte pak interes për gazin e rigjeneruar, deri te krijimi i një rrjeti funksional dhe i besimit te produkti. Suksesi kërkoi investime në teknologji dhe laborator, bashkëpunim të vazhdueshëm me teknikët, grumbullim dhe transport të organizuar, stimuj ekonomikë dhe ndërgjegjësim. Vizita tregoi se pajisjet janë vetëm një pjesë e sistemit: po aq rëndësi ka mënyra si gazi rikuperohet në terren, dorëzohet, përpunohet dhe rikthehet në treg.
Ditën e dytë, pjesëmarrësit vizituan kompaninë SARPI, pjesë e grupit Veolia, e cila operon një nga incineratorët më modernë dhe më të mëdhenj për mbetje industriale dhe të rrezikshme në Poloni. Vizita përfshiu njohjen me instalimet dhe mënyrën e ndarjes së mbetjeve, ndërsa ekspertët shpjeguan asgjësimin termik dhe rikuperimin e energjisë. Diskutimet trajtuan edhe gazrat ftohëse që nuk mund të ripërdoren dhe sistemet e pastrimit e monitorimit që, sipas ekspertëve, i mbajnë emetimet brenda normave të lejuara mjedisore.
Për Shqipërinë, përvoja polake ofron një pikënisje konkrete për ndërgjegjësimin e teknikëve mbi rikuperimin e gazit dhe përfitimet nga rigjenerimi, garantimin e cilësisë dhe nxitjen e kërkesës për gaz të rigjeneruar. Synimi është të parandalohet çlirimi në atmosferë i gazeve me ndikim të lartë në ngrohjen globale dhe të zhvillohet një ekonomi qarkulluese që ul nevojën për prodhimin e gazeve të reja, në mbështetje të objektivave të Amendamentit të Kigalit.
















