KIGALI 10 VJET – PERMBLEDHJE EKZEKUTIVE
09/06/2026Më 21–22 maj 2026, Njësia Kombëtare e Ozonit zhvilloi në Kolegjin Gjerman të Teknologjisë një trajnim dyditor me temë “Amendamenti i Kigalit dhe alternativat me GWP të ulët në sektorin e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar”.
Aktiviteti u mirëprit nga Rektori i Kolegjit Gjerman të Teknologjisë, Prof. Jorgaq Kaçani, dhe Dekani Prof. As. Arjan Bisha, të cilët vlerësuan bashkëpunimin me Njësinë Kombëtare të Ozonit dhe theksuan rëndësinë e përgatitjes së profesionistëve të rinj për zhvillimet teknologjike dhe mjedisore që po transformojnë sektorin e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar.
Në trajnim morën pjesë 40 studentë të kolegjit, të cilët gjatë dy ditëve u njohën me aspektet teorike dhe praktike të tranzicionit drejt teknologjive dhe gazeve ftohëse me ndikim më të ulët në klimë.
Dita e parë e trajnimit iu kushtua pjesës teorike. Studentët u njohën me rëndësinë e shtresës së ozonit, historinë dhe arritjet e Protokollit të Montrealit, si dhe me Amendamentin e Kigalit dhe rolin e tij në reduktimin e ndikimit të sektorit RAC në ndryshimet klimatike. Gjatë sesioneve u prezantuan institucionet dhe mekanizmat ndërkombëtarë që mbështesin zbatimin e Amendamentit të Kigalit, si dhe angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të tij.
Pjesëmarrësit u njohën me angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të Amendamentit të Kigalit për ngrirjen dhe reduktimin gradual të konsumit të hidrofluorokarbureve (HFC). U shpjegua se, duke filluar nga viti 2024, konsumi i HFC-ve në Shqipëri është ngrirë në nivelin bazë të përcaktuar prej 883,849 ton CO₂ ekuivalent, i cili jo vetëm nuk duhet të tejkalohet, por do të reduktohet gradualisht me 10% në vitin 2029, me 30% në vitin 2035, me 50% në vitin 2040 dhe me 85% në vitin 2045, krahasuar me nivelin bazë.
Në këtë kuadër u diskutua nevoja për kalimin drejt gazeve ftohëse me potencial më të ulët të ngrohjes globale (GWP), si R-290, R-600a, R-744 (CO₂), amoniaku dhe R-1234yf, si dhe rëndësia e përgatitjes së sektorit për përdorimin e sigurt dhe efikas të këtyre alternativave. Studentët u njohën gjithashtu me masat që po ndërmerren për të mbështetur këtë tranzicion, përfshirë forcimin e kapaciteteve profesionale, certifikimin e teknikëve dhe përmirësimin e praktikave të rikuperimit dhe menaxhimit të gazeve ftohëse.
Dita e dytë iu kushtua sesioneve praktike dhe demonstrimeve teknike. Studentët u njohën me praktikat e mira të punës dhe standardet e sigurisë për trajtimin e gazeve ftohëse me GWP të ulët, si dhe me kërkesat teknike që lidhen me instalimin, mirëmbajtjen dhe servisimin e pajisjeve që përdorin këto alternativa.
Gjatë sesioneve praktike, pjesëmarrësit u njohën gjithashtu me zhvillimet më të fundit në sektorin e kondicionimit të automjeteve (MAC), përfshirë kalimin gradual nga R-134a drejt R-1234yf, një gaz ftohës me ndikim shumë më të ulët klimatik. Studentët patën mundësi të njihen me tendencat e tregut, përbërjen e flotës së automjeteve në Shqipëri dhe sfidat teknike që shoqërojnë këtë tranzicion, si dhe me procedurat praktike për përdorimin, rikuperimin dhe menaxhimin e gazeve ftohëse.
Trajnimi u zhvillua nga trajnerët Ilir Palushaj, Arjan Kullolli dhe Revin Kazani.
Trajnimi synoi të rrisë njohuritë dhe ndërgjegjësimin e profesionistëve të ardhshëm mbi detyrimet që rrjedhin nga Amendamenti i Kigalit dhe rolin që ata do të kenë në tranzicionin e sektorit RAC drejt teknologjive më efikase dhe më miqësore me klimën.

















