
Aktivitet Ndërgjegjësues me Fakultetin e Shkencave Pyjore mbi Rolin e Grave për Klimën sipas Protokollit të Montrealit
27/11/2025
Konsultimi i Tretë Kombëtar – Përgatitja e Inventarit të Substancave të Kontrolluara të Padëshiruara dhe Plani Kombëtar i Veprimit
10/12/2025Më 9 dhjetor 2025, në kuadër të përmbushjes së angazhimeve të Shqipërisë sipas Protokollit të Montrealit dhe Amendamentit të Kigali-t, u realizua me sukses një sërë aktivitetesh që kishin në fokus promovimin e Manualit për Standardet e Sigurisë dhe Praktikat e Mira për Ftohësit Natyrorë të Ndezshëm, si dhe zhvillimin e Trajnimit për teknikët e shërbimit dhe mirëmbajtjes për përdoruesit e mëdhenj.
Aktivitetet u organizuan nga Tirana College of Technology, në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit (NOU), dhe mblodhën rreth 62 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues të institucioneve publike, botës akademike, sektorit privat dhe profesionistë teknikë nga sektori i Ftohjes dhe Kondicionimit të Ajrit (RAC).
Promovimi i Manualit për Standardet e Sigurisë dhe Praktikat e Mira për Ftohësit Natyrorë të Ndezshëm u zhvillua nën kujdesin e veçantë të Znj. Diana Bida, Drejtuese Ekzekutive (CEO) e Tirana College of Technology, dhe shënoi prezantimin zyrtar të Manualit të përgatitur nga Ing. Ilir Palushaj, në bashkëpunim të ngushtë me Njësinë Kombëtare të Ozonit dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO). Manuali shërben si një dokument praktik referues për trajtimin e sigurt të ftohësve të ndezshëm dhe teknologjive me potencial të ulët të ngrohjes globale (GWP), duke mbështetur teknikët, institucionet arsimore dhe operatorët ekonomikë në zbatimin e standardeve moderne të sigurisë dhe praktikave të mira të pranuara ndërkombëtarisht.
Në fjalët përshëndetëse, Z. Laert Duro, Themelues i Tirana College of Technology, vlerësoi cilësinë e lartë profesionale të punës së realizuar nga Ing. Ilir Palushaj në përgatitjen e Manualit, duke theksuar rëndësinë e tij për sigurinë teknike dhe formimin profesional. Gjithashtu, Prof. Dr. Andonaq Lamani, Rektor i Tirana College of Technology, si dhe Prof. Luan Karcanaj, President i Kolegjit, nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e vlerësuan Manualin si një instrument praktik kyç për forcimin e zbatimit të standardeve të sigurisë në sektorin RAC.
Komponenti i trajnimit për teknikët e shërbimit dhe mirëmbajtjes për përdoruesit e mëdhenj përbënte një pjesë integrale të aktivitetit dhe u fokusua në zbatimin praktik të Manualit, veçanërisht në lidhje me:
- sigurinë në punë gjatë trajtimit të ftohësve të ndezshëm;
- parandalimin, identifikimin dhe menaxhimin e rrjedhjeve;
- rikuperimin dhe riciklimin e ftohësve;
- përmirësimin e efiçiencës energjetike dhe mbrojtjen e mjedisit.
Aktivitetet kontribuan në:
- rritjen e ndërgjegjësimit për standardet e sigurisë dhe kërkesat rregullatore në sektorin RAC;
- forcimin e kapaciteteve dhe aftësive teknike të teknikëve të shërbimit;
- përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, institucioneve akademike dhe sektorit privat;
- mbështetjen e një tranzicioni të sigurt dhe të qëndrueshëm drejt teknologjive miqësore me klimën në Shqipëri.
Këto aktivitete përbëjnë një hap të rëndësishëm në zbatimin e iniciativave të mbështetura nga UNIDO dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në përmbushjen e objektivave kombëtare të Shqipërisë për mbrojtjen e shtresës së ozonit dhe klimës, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Protokolli i Montrealit dhe Amendamenti i Kigali-t.













