Konventa e Vjenës për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit

Sekretariati i Ozonit

Programi për Mjedisin i Kombeve të Bashkuara

Publikuar në Nëntor 2001 nga Sekretariati për Konventën e Vienës për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit & Protokollin e Montrealit për Substancat që Shterojnë Shtresën e Ozonit Programi për Mjedisin i Kombeve të Bashkuara

PO Box 30552 Naroibi Kenya

Web Site: http://www.unep.org/ozone http://www.unep.ch/ozone

ISBN: 92-807-2121-6

I printuar dhe lidhur në Kenia nga UNON. Printuar në letër të ricikluar. Projektimi i kapakut nga UNON Printshop (Nëntor 2001).

Koordinimi: Nelson Sabogal, Zyrtar i Lartë për Çështjet Shkencore, Gilbert M. Bankobeza, Zyrtar i Lartë Ligjor Faqosja dhe formatimi: Gerald Mutisya Martha Adila Mulumba

 Tabela e përmbajtjes  

Hyrja...............................................................4
Neni 1:     Përkufizimet............................................5
Neni 2:     Detyrimet e përgjithshme................................5
Neni 3:     Kërkimet dhe vëzhgimet sistematike......................6
Neni 4:     Bashkëpunimi në fushat ligjore, shkencore dhe teknike...7
Neni 5:     Transmetimi i informacionit.............................8
Neni 6:     Konferenca e Palëve.....................................8
Neni 7:     Sekretariati............................................9
Neni 8:     Adaptimi i protokolleve................................10
Neni 9:     Amendime të Konventës ose protokolleve.................10
Neni 10:    Adaptimi dhe amendamentet e anekseve...................11
Neni 11:    Zgjidhja e mosmarrëveshjeve............................12
Neni 12:    Nënshkrimi.............................................13
Neni 13:    Ratifikimi, pranimi ose miratimi.......................13
Neni 14:    Aderimi................................................14
Neni 15:    E drejta e votës.......................................14
Neni 16:    Marrëdhënia midis Konventës dhe protokolleve të saj....14
Neni 17:    Hryja në fuqi..........................................14
Neni 18:    Rezervimet.............................................15
Neni 19:    Tërheqja...............................................15
Neni 20:    Depozituesi............................................15
Neni 21:    Tekstet autentike......................................16
Aneks I:    Kërkimet dhe vëzhgimet sistematike.....................17
Aneks II:   Shkëmbimi i informacionit..............................22
Deklaratat.........................................................24

KONVENTA E VJENËS PËR MBROJTJEN E SHTRESËS SË OZONIT

Hyrje  

Palët në këtë Konventë, Të ndërgjegjshëm për ndikimin mjaft të dëmshëm në shëndetin e njeriut dhe në mjedis nëpërmjet modifikimit të shtresës së ozonit, Duke rikujtuar dispozitat përkatëse të Deklaratës të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedisin Njerëzor dhe veçanërisht parimin 21, i cili parashikon që Shtetet , në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me parimet e ligjit ndërkombëtar , kanë të drejtën sovrane që të shfrytëzojnë burimet e tyre në përputhje me politikat e tyre mjedisore dhe përgjegjësinë për të garantuar që aktivitetet brenda juridiksionit dhe kontrollit të tyre, nuk e dëmtojnë mjedisin e Shteteve të tjera ose të zonave të tjera përtej limiteve të juridiksionit kombëtar”,  Duke marrë në konsideratë kushtet dhe kërkesat e veçanta të vendeve në zhvillim, Të ndërgjegjshëm për proçedurën e punës dhe studimeve brenda organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare dhe, në vecanti, të Planit Botëror të Veprimit për Shtresën e Ozonit të Programit për Mjedisin të Kombeve të Bashkuara, Të ndërgjegjshëm gjithashtu për masat paraprake për mbrojtjen e shtresës së ozoni të cilat tashmë janë ndërmarrë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, Të vetëdisjshëm që masat për mbrojtjen e shtresës së ozonit nga ndryshimet për shkak të aktiviteteve njerëzore kërkojnë veprim dhe bashkëpunim ndërkombëtar dhe duhet të bazohen në konsideratat teknike dhe shkencore përkatëse, Të vetëdisjshëm gjithashtu për nevojën e kërkimeve të mëtejshme dhe vëzhgime sistemetike për zhvillimin e mëtejshëm të njohurive shkencore për shtresën e ozonit dhe të efekteve të mundshme negative që vijnë si rezultat i ndryshimit të saj. Të vendosur për të mbrojtur shëndetin e njeriut dhe mjedisin ndaj efekteve negative që vijnë si rezultat i ndryshimit të shtresës së ozonit, KANË RËNË DAKORT SI MË POSHTË:  

Neni 1: Përkufizimet  Për qëllime të kësaj Konvente:

  1. “Shtresa e ozonit” do të thotë, shtresa e ozonit atmosferik mbi shtresën kufitare planetare.
  1. “Ndikimet negative” do të thotë, ndryshimet në ambjentin fizik apo në biotë, duke përfshirë ndryshimet klimatike, të cilat kanë efekte të dëmshme shumë të rëndësishme mbi shëndetin e njeriut ose në përbërjen, në aftësinë ripërtëritëse dhe prodhimtarinë e ekosistemeve natyrore dhe të administruara ose mbi materialet e nevojshme për njerëzimin.
  1. “Pajisje ose teknologji alternative” do të thotë, teknologji apo pajisje, përdorimi i të cilave bën të mundur reduktimin ose eliminimin me efektivitet të emetimeve të substancave që kanë ose kanë të ngjarë të kenë ndikime negative mbi shtresën e ozonit.
  1.  “Substancat alternative” do të thotë, substancat që reduktojnë, eliminojnë ose ndalojnë efektet negative mbi shtresën e ozonit.
  1. “Palë” do të thotë, me përjashtim nëse konteksi tregon ndryshe, Palë në këtë Konventë.
  1. “Organizata rajonale të integrimit ekonomik” do të thotë, një organizatë të themeluar nga shtetet sovrane të një rajoni të dhënë e cila ka kompetencë për sa i përket çështjeve të mbuluara nga kjo Konventë ose protokollet e saj, e cila eshtë e autorizuar sipas rregullave, në përputhje me procedurat e saj të brendshme të nënshkruajë, ratifikojë, pranojë, miratojë apo aderojë në istrumentat në fjalë.
  1. “Protokoll” do të thotë protokollet e kësaj Konvente.

Neni 2: Detyrimet e përgjithshme 

  1. Palët do të marrin masat e duhura në përputhje me dispozitat e kësaj Konvente dhe të atyre protokolleve në fuqi të të cilave ato janë palë, për mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit kundrejt efekteve të negative që vijnë si rezultat ose që kanë të ngjarë të vijnë si rezultat i aktiviteteve njerëzore, të cilat ndryshojnë ose kanë të ngjarë të ndryshojë shtresën e ozonit.
  1. Për këtë qëllim, Palët , në përputhje me mënyrat në dispozicionin e tyre dhe me kapacitete e tyre do të:

(a)    Bashkëpunojnë nëpërmjet vëzhgimeve sistematike, kërkimeve dhe shkëmbimit të informacionit, me qëllim që të kuptojnë më mirë dhe të vlerësojnë efektet e aktiviteteve njerëzore mbi shtresën e ozonit dhe efektet që vijnë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis nga modifikimi i shtresës së ozonit;

(b)   Adoptojnë masat përkatëse administrative dhe legjislative dhe do të bashkëpunojnë në harmonizimin e politikave përkatëse për të kontrolluar, kufizuar, reduktuar ose parandaluar aktivitetet njerëzore nën juridiksion e  tyre ose të kontrollojnë nëse zbulohet që këto aktivitete kanë ose kanë të ngjarë të kenë efekte te dëmshme që vijnë nga modifikimi i shtresës së ozonit;

(c)    Bashkëpunojnë në formulimin e masave, procedurave dhe standarteve, për të cilat është rënë dakort, për implementimin e kësaj Konvente, duke pasur qëllim, atë të adaptimit të protokolleve dhe anekseve;

(d)   Bashkëpunojë me organet kompetente ndërkombëtare për implementimin sa më efektiv të kësaj Konvente dhe protokolleve në të cilat ato janë Palë.

  1. Dispozitat e kësaj Konvente nuk duhet në asnjë mënyrë të ndikojnë në të drejtën e Palëve që të adoptojnë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, masa të brendshme shtesë ndaj atyre që përmenden më lart në paragrafin 1 dhe 2 , as edhe të ndikojnë në masat e brendshme shtesë tashmë të ndërmarra nga një Palë, duke u siguruar që këto masa nuk janë në papërputhshmëri me detyrimet e tyre ndaj  kësaj Konvente.
  1. Zbatimi i këtij neni do të bazohet në konsideratat tekniko-shkencore përkatëse.

Neni 3: Kërkimet dhe vëzhgimet sistematike  

  1. Palët angazhohen, sipas rastit, të fillojnë dhe të bashkëpunojnë, drejpërdrejtë ose nëpërmjet organeve ndërkombëtare kompetente, për kryerjen e kërkimeve dhe vlerësimet shkencore për:

(a)    Proceset kimike dhe fizike që mund të ndikojnë mbi shtresën e ozonit;

(b)   Shëndetin e njeriut dhe efektet e tjera biologjike që rrjedhin nga modifikimi i shtresës së ozonit, kryesisht ato që vijnë si pasojë e ndryshimeve në rrezet diellore ultraviolet që kanë efekte biologjike (UV-B);

(c)    Efektet klimatike që vijnë nga çdo ndryshim në shtresën e ozonit;

(d)   Efektet që vijnë nga çdo ndryshim i shtresës së ozonit dhe çdo ndryshim pasues në rrezatimin UV-B mbi materialet natyrale dhe sintetike të dobishme  për njerëzimin;

(e)    Substancat, praktikat, proceset, dhe aktivitetet që mund të ndikojnë shtresën e ozonit dhe efektet e tyre kumulative;

(f)    Substancat dhe teknologjitë alternative;

(g)   Çështjet social-ekonomike të lidhura me to; dhe siç është përpunuar më tej në anekset I dhe II.

  1. Palët angazhohen që të promovojnë ose të krijojnë, sipas rastit, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet organeve kompetente ndërkombëtare dhe duke marrë plotësisht në konsideratë legjislacionin kombëtar dhe aktivitetet përkatëse në vazhdim në nivelet kombëtare dhe ndërkombëtare, programet e përbashkëta apo plotësuese për vëzhgimet sistematike të gjendjes së shtresës së ozonit dhe parametrave të tjera përkatëse, siç është përpunuar në aneksin I.
  1. Palët angazhohen të bashkëpunojnë, drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet organeve kompetente ndërkombëtare, për të garantuar mbledhjen, vlefshmërinë dhe transmetimin e punës kërkimore dhe të dhënave të marra nga vëzhgimet nëpërmjet qendrave përkatëse botërore të të dhënave në një afat kohor të rregullt.

 Neni 4: Bashkëpunimi në fushat ligjore, shkencore dhe teknike. 

  1. Palët do të lehtësojnë dhe do të inkurajojnë shkëmbimin e informacionit shkencor, teknik, social – ekonomik, tregtar dhe ligjor në lidhje me këtë Konventë, siç është përpunuar më tej në aneksin II. Një informacion i tillë do ti jepet organeve për të cilat është rënë dakort nga Palët. Çdo organ i tillë që merr një informacion konfidencial nga Pala që i’a siguron atë, do të sigurojë që informacioni nuk është përhapur dhe do ta mbledhë atë që të mbrojë konfidencialitetin e tij përpara se ai te vihet në dispozicion të të gjitha Palëve.
  1. Palët, në përputhje me ligjet kombëtare, rregullat dhe praktikat e tyre, dhe duke marrë në konsideratë kryesisht nevojat e vendeve në zhvillim, do të bashkëpunojnë në promovimin, drejtëpërdrejtë ose nëpërmjet organeve kompetente ndërkombëtare për zhvillimin dhe transferimin e teknologjisë dhe njohurive. Ky bashkëpunim do të kryhet kryesisht nëpërmjet:

(a)    Lehtësimit të përvetësimit të teknologjive alternative nga Palët e tjera;

(b)   Furnizimit me informacionin mbi pajisjet dhe teknologjitë alternative dhe sigurimin e manualeve speciale apo udhëzuesve të tyre;

(c)    Sigurimit të pajisjeve dhe mjeteve të nevojshme për kërkime dhe vëzhgime sistematike;

(d)   Trajnim përkatës të personelit teknik dhe shkencor.

Neni 5: Transmetimi i informacionit  

Palët, nëpërmjet sekretariatit do t’i transmetojnë Konferencës së Palëve të krijuar sipas nenit 6, informacionin mbi masat e adoptuara prej tyre për implementimin e Konventës dhe të Protokolleve në të cilat ato janë Palë, në atë formë dhe në ato intervale kohore që mbledhjet e Palëve do ti përcaktojnë instrumentave përkatës.  

Neni 6: Konferenca e Palëve 

  1. Për këtë arsye, është krijuar një Konferencë e Palëve. Mbledhja e parë e Konferencës së Palëve do të mbahet nga sekretariati i emëruar provizorisht sipas nenit 7, jo më vonë se një vit pas hyrjes në fuqi të kësaj Konvente. Pas kësaj, mbledhjet e zakonshme të Konferencës së Palëve do të mbahen në intervale të rregullta të përcaktuara nga Konferenca e Palëve në mbledhjen e saj të parë.
  1. Mbledhjet e jashtëzakonshme të Konferencës së Palëve do të mbahen sa herë që të shihet e nevojshme nga Konferenca, apo me kërkesën me shkrim të çdo Pale, duke siguruar që brenda gjashtë muajve nga dita e komunikimit të kërkesës në Sekretariat, ajo eshtë mbështetur nga të paktën një e treta e Palëve.
  1. Konferenca e Palëve do të bie dakort me konsensus dhe do të adaptojë rregullat e procedurave dhe rregullat financiare për veten dhe për çdo organ ndihmës që ajo mund të krijojë, si edhe dispozitat financiare që do të nevojiten për funksionimin e sekretariatit.
  1. Konferenca e Palëve do të mbajë nën rishikim të vazhdueshëm implementimin e kësaj Konvente, dhe për më tepër:

(a)    Do të përcaktojë formën dhe intervalet kohore të transmetimit te informacionit që do të dorëzohet në përputhje me nenin 5 dhe do të marrë në konsideratë këtë informacion si edhe raportet e dorëzuara nga çdo organ ndihmës;

(b)   Do të rishikojë informacionin shkencor për shtresën e ozonit, mbi ndryshime të mundshme të tij dhe mbi efektet e mundshme në këtë ndryshim;

(c)    Do të promovojë, në përputhje me nenin 2, harmonizimin e politikave përkatëse, strategjive dhe masave për minimizimin e çlirimit të substancave që shkaktojnë apo kanë të ngjarë të shkaktojnë ndryshimin e shtresës së ozonit dhe do të bëjë rekomandime mbi çdo masë tjetër që ka lidhje me këtë Konventë;

(d)   Do të adoptojë, në përputhje me nenet 3 dhe 4, programet për kërkime, vëzhgime sistematike, bashkëpunimin shkencor dhe tekonologjik, shkëmbimin e informacionit dhe transferimin e teknologjisë dhe njohurive;

(e)    Do të marrë në konsideratë dhe do të adoptojë, siç duhet, në përputhje me nenet 9 dhe 10,  amendamentet e kësaj Konvente dhe anekset e saj;

(f)    Do të marrë në konsideratë amendamentet e çdo protokolli, si edhe të çdo aneksi të tyre, dhe, nëqoftëse është vendosur kështu, t’ia rekomandojë adaptimin e tyre palëve të protokollit në fjalë;

(g)   Do të marrë në konsideratë dhe do të adaptojë, siç duhet, në përputhje me nenin 10, anekset shtesë të kësaj Konvente;

(h)   Do të marrë në konsideratë dhe do të adaptojë, siç duhet, protokollet në përputhje me nenin 8;

(i)     Do të krijojë/themelojë organe të tilla ndihmëse, aq sa të jetë e nevojshme për implementimin e kësaj Konvente.

(j)     Do të kërkojë, kur është e përshtatshme, shërbimin e organeve ndërkombëtare kompetente dhe komiteteve shkencore, në veçanti Organizatës Botërore Meteorologjike dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë si dhe Komitetit Koordinativ për Shtresën e Ozonit, në kërkimet shkencore, vëzhgimet sistematike dhe aktivitetet që kanë lidhje me objektivat e kësaj Konvente, duke e përdorur, në mënyrën e duhur, informacionin përkatës të marrë nga këta organe dhe komitete.

(k)   Do të marrë në konsideratë dhe do të ndërmarrë çdo veprim shtesë që mund të kërkohet për arritjen e qëllimeve të kësaj Konvente.

  1. Kombet e Bashkuara, agjensitë e saj të specializuara dhe Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, si edhe çdo Shtet që nuk është Palë në këtë Konventë, mund të përfaqësohen në mbledhjet e Konferencës së Paleve nga vëzhguesit. Çdo organ apo agjensi, qoftë kombëtar apo ndërkombëtar, qeveritar apo joqeveritar, i kualifikuar në fushat që kanë lidhje me mbrojtjen e shtresës së ozonit, që i kanë shprehur Sekretariatit deshirën për t’u përfaqësuar në mbledhjen e Konferencës së Palëve si vëzhgues mund të pranohen po të mos kundërshtohet nga të paktën një e treta e Palëve. Pranimi i pjesëmarrjes së vëzhguesve do të vendoset sipas rregullave të proçedurës të miratuara nga Konferenca e Palëve.

Neni 7: Sekretariati 

  1. Funksionet e sekretariatit do të jenë:

(a)    Të organizojë takimet e shërbimet e parashikuara sipas neneve 6, 8, 9 dhe10;

(b)   Të përgatisë dhe të shpërndajë raporte të bazuara në informacionin e marrë në përputhje me nenet 4 dhe 5, si dhe mbi bazën e informacionit të marrë nga organet ndihmëse të krijuara sipas nenit 6;

(c)    Të kryejë funksionet që i janë përcaktuar atij nga çdo protokoll;

(d)   Të përgatisë raporte për aktivitetet e tij, të kryera në implementimin e funksioneve të tij sipas Konventës dhe t’ia paraqesë ato Konferencës së Palëve.

(e)    Të sigurojë koordinimin e nevojshëm me organet e tjera ndërkombëtare përkatëse dhe në veçanti të hyjë në marrëveshje të tilla administrative dhe kontraktuale siç mund të jetë e kërkuar për kryerjen efektive të funksioneve të tij.

(f)    Të kryejë funksione të tjera, të cilat mund të jenë përcaktuar nga Konferenca e Palëve.

  1. Funksionet e Sekretariatit do të ushtrohen përkohësisht nga Programi i Kombeve të Bashkuara per Mjedisin deri pas përfundimit të mbledhjes së parë të zakonshme të Konferencës së Palëve e mbajtur në përputhje me nenin 6. Në mbledhjen e saj të parë të zakonshme, Konferenca e Palëve do të emërojë sekretariatin midis organizatave ekzistuese kompetente ndërkombëtare, të cilat kanë shprehur dëshirën e tyre për të ndërmarrë funksionin e sekretariatit të kësaj Konvente

Neni 8: Adaptimi i Protokolleve 

  1. Konferenca e Palëve, në një mbledhje, mund të miratojë protokolle në përputhje me Nenin 2.
  1. Teksti i çdo protokolli të propozuar do t’i komunikohet Palëve nga sekretariati të paktën gjashtë muaj përpara një takimi të tillë.

 Neni 9: Amendamentet e Konventës ose protokolleve 

  1. Çdo Palë mund të propozojë amendamente në këtë Konventë ose të çdo protokolli. Amendamente të tilla do të marrin parasysh, ndër të tjera, konsideratat teknike dhe shkencore përkatëse.
  1. Amendamentet e kësaj Konvente do të adoptohen në një mbledhje të Konferencës së Palëve. Amendamentet e çdo protokolli do të adoptohen në një Mbledhje të Palëve për protokollin në fjalë. Teksti i çdo amendamenti të propozuar të kësaj Konvente apo i çdo protokolli, me perjashtim të rastit kur mund të jetë parashikuar ndryshe në protokoll, do t’i komunikohet Palëve nga sekretariati të paktën gjashtë muaj përpara zhvillimit të mbledhjes në të cilën ai është propozuar për adaptim. Sekretariati do të komunikojë gjithashtu, amendamentet e propozuara, për informacion për nënshkruesit e kësaj Konvente.
  1. Palët do të bëjnë çdo përpjekje për të rënë dakort me konsensus për çdo amendament të propozuar për këtë Konventë. Nëqoftëse janë konsumuar të gjitha përpjekjet për të rënë dakort me konsensus, dhe nuk arrijnë të bien dakort, si zgjidhje e fundit, amendamenti do të adoptohet, nga tre të katërtat e shumicës së votave së Palëve që janë prezent dhe që votojnë në mbledhje dhe do t’iu dërgohet nga Depozituesi të gjitha Palëve për ratifikim, miratim apo pranim.
  1. Procedura e përmendur në paragrafin 3, më lart, do të zbatohet për amendamentet e çdo protokolli, me përjashtim të rastit kur dy të tretat e shumicës së palëve të këtij protokolli që janë prezent dhe votojnë në mbledhje, do të mjaftojë për adaptim.
  1. Ratifikimi, miratimi, apo pranimi i amendamenteve do t’i bëhet e ditur Depozituesit me shkrim. Amendamentet e adoptuara në përputhje me paragrafin 3 ose 4 më lart, do të hyjnë në fuqi ndërmjet Palëve që i kanë pranuar ato, në ditën e nëntëdhjetë pas marrjes së njoftimint nga Depozituesi për ratifikim, miratim apo pranim nga të paktën tre të katërtat e Palëve në këtë Konventë ose nga të paktën dy të tretat e palëve në protokollin për të cilin bëhet fjalë, me përjashtim të rastit kur mund të jetë parashikuar ndryshe në një protokoll të tillë. Pas kësaj, amendamentet do të hyjnë në fuqi për çdo Palë tjetër, në ditën e nëntëdhjetë pasi Pala të depozitojë instrumentat e saj të ratifikimit, miratimit, apo të pranimit të amendamenteve.
  1. Për qëllime të këtij neni me, “Palë prezente dhe votuese” do të thotë Palët që janë prezent dhe që japin votë pro ose kundër.

Neni 10: Adaptimi dhe amendamentet e anekseve 

  1. Anekset e kësaj Konvente apo të çdo Protokolli do të formojnë një pjesë integrale të kësaj Konvente apo të një Protokolli të tillë, sipas rastit dhe po të mos jetë përcaktuar shprehimisht ndryshe, një referencë e kësaj Konvente apo e protokolleve të saj përbën në të njëjtën kohë një referencë të çdo aneksi të saj. Anekse të tilla do të kufizohen në çështje shkencore, teknike dhe administrative.
  1. Me përjashtim të rastit kur mund të jetë parashikuar ndryshe në çdo protokoll në lidhje me anekset e tij, procedura e mëposhtme do të zbatohet për propozimin, adaptimin dhe hyrjen në fuqi të anekseve shtesë të kësaj Konvente apo anekseve të një protokolli:

(a)    Anekset e kësaj Konvente do të propozohen dhe adoptohen në përputhje me proçedurën e përcaktuar në nenin 9, paragrafët 2 dhe 3, ndërsa anekset e çdo protokolli do të propozohen dhe adoptohen në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 9, paragrafët 2 dhe 4;

(b)   Çdo Palë e cila nuk është në gjendje të miratojë një aneks shtesë në këtë Konventë apo një aneks të një protokolli në të cilin ajo është Palë, do të njoftojë depozituesin me shkrim, brenda gjashtë muajve nga data e komunikimit të adaptimit nga Depozituesi. Depozituesi, do të informojë pa vonesë të gjitha Palët për çdo njoftim të tillë të marrë. Një Palë, në çdo kohë, mund ta zëvendësojë një pranim për një deklaratë të mëparshme kundërshtimi dhe më pas anekset do të hyjnë në fuqi për këtë Palë;

(c)    Në mbarim të gjashtë muajve, nga data e qarkullimit të komunikimit nga Depozituesi, anekset do të bëhen efektive për të gjitha Palët në këtë Konventë apo të çdo protokolli në lidhje me të cilin nuk kanë paraqitur njoftim në përputhje me dispozitat e paragrafit (b) më lart.

  1. Propozimi, adaptimi dhe hyrja në fuqi e amendamenteve të anekseve të kësaj Konvente apo të çdo protokolli do të jetë subjekt i të njëjtës procedurë si për propozimin, adaptimin dhe hyrjen në fuqi të anekseve të Konventës apo anekseve të një protokolli. Për më tepër, anekset dhe amendamentet, do të marrin në konsideratë, ndër të tjera, edhe konsideratat shkencore dhe teknike.
  1. Nëqoftëse një aneks shtesë apo amendamenti i një aneksi përfshin një amendament të kësaj Konvente apo të ndonjë protokolli të saj, aneksi shtesë apo aneksi i amenduar do të hyjë në fuqi për aq kohë sa i duhet të hyjë në fuqi një amendament i kësaj Konvente apo protokolli që ka të bëjë me të.

Neni 11: Zgjidhja e mosmarrëveshjeve

  1. Në rast të një mosmarrëveshjeje ndërmjet Palëve në lidhje me interpretimin apo zbatimin e kësaj Konvente, Palët në fjalë do të gjejnë në zgjidhje nëpërmjet negociatave.
  1. Në qoftë se Palët në fjalë nuk arrijnë të bien dakort nëpërmjet negociatave, ato mund të gjejnë bashkarisht një mjedis te përshtatshëm apo të kërkojnë ndërmjetës, duke marrë si të tillë një palë të tretë.
  1. Pas ratifikimit, pranimit, miratimit të kësaj Konvente, ose në çdo kohë pas kësaj, një Shtet ose organizatë rajonale e integrimit ekonomik mund të deklarojë me shkrim tek  Depozituesi, që për një mosmarveshje të pazgjidhur në përputhje me paragrafin 1 ose 2 sa më lart, pranojnë njërën apo dy mënyrat e mëposhtme të zgjidhjes së detyrueshme të mosmarrëveshjes:

(a)    Arbitraritet në përputhje me proçedurat e adoptuara nga Konferenca e Palëve në mbledhjen e saj të parë të zakonshme;

(b)   Paraqitjen e mosmarrëveshjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

  1. Nëqoftëse Palët, në përputhje me paragrafin 3, më lart, nuk kanë pranuar të njëjtën  proçedurë ose ndonjërën prej tyre,  mosmarrëveshja do të parashtrohet për pajtim në përputhje me paragrafin 5 si më poshtë, me përjashtim nëse Palët bien dakord ndryshe.
  1. Do të krijohet një komision pajtimi bazuar në kërkesën e njërës nga Palët e mosmarrëveshjes. Komisioni do të përbëhet nga një numër të barabartë anëtarësh, të caktuar nga çdo palë në fjalë dhe një kryetar i zgjedhur bashkarisht nga anëtarët që ka zgjedhur secila palë. Komisioni do të japë një vlerësim final dhe rekomandues të cilin Palët do ta marrin në konsideratë me mirëbesim.
  1. Dispozitat e këtij Neni do të zbatohen në lidhje me çdo protokoll me përjashtim të rastit kur është parashikuar ndryshe në protokollin në fjalë.

Neni 12: Nënshkrimi

Kjo Konventë do të hapet për nënshkrim nga Shtetet dhe nga Organizatat Rajonale të Integrimit Ekonomik në Ministrinë Federale të Marëdhënieve me Jashtë të Republikës së Austrisë, në Vienë, nga data 22 Mars 1985 deri më datë 21 Shtator 1985 dhe në Zyrat qëndrore të Kombeve të Bashkuara në New Jork nga data 22 Shtator 1985 deri më datë 21 Mars 1986. 

Neni 13: Ratifikimi, pranimi ose miratimi 

  1. Kjo Konventë dhe çdo protokoll do të jetë subjekt për ratifikim, pranim ose miratim nga Shtetet dhe nga organizatat rajonale të integrimit ekonomik. Instrumentet e ratifikimit, pranimit ose miratimit do të depozitohen tek Depozituesi.
  1. Çdo organizatë, referuar në paragrafin 1 më lart, e cila bëhet Palë në këtë Konvenetë apo në çdo protokoll, pa patur Palë asnjë nga Shtetet e saj anëtare, do të jetë e detyruar nga të gjitha detyrimet në Konventë ose protokoll, sipas rastit. Në rastin kur organizata të tilla, një apo më shumë Shtetet anëtarë të të cilave janë Palë në Konventë apo në protokollet përkatëse, organizata dhe Shtetet e saj anëtare do të vendosin për përgjegjësitë e tyre përkatëse për kryerjen e detyrimeve në Konvente apo protokoll, sipas rastit. Në raste të tilla, organizata dhe Shtetet anëtare nuk do të lejohen të ushtrojnë njëkohësisht të drejtat sipas Konventës apo protokollit përkatës.
  1. Në instrumentet e tyre të ratifikimit, pranimit ose miratimit, organizatat, referuar në paragrafin 1 më lart, do të deklarojnë shtrirjen e kompetencave të tyre në lidhje me çështjet që mbulohen nga kjo Konventë apo në protokollin përkatës. Këto organizata do të informojnë Depozituesin për çdo ndryshim thelbësor në shtrirjen e kompetencave të tyre.

Neni 14: Aderimi 

  1. Kjo Konventë dhe çdo protokoll do të jetë e hapur për aderim nga Shtetet dhe organizatat rajonale të integrimit ekonomik, duke filluar nga data në të cilën përfundon nënshkrimi i Konventës dhe protokollit në fjalë. Instrumentat e hyrjes në fuqi do të depozitohen tek Depozituesi.
  1. Në instrumentet e tyre të aderimit, organizatat, referuar në paragrafin 1 më lart, do të deklarojnë shtrirjen e kompetencave të tyre në lidhje me çështjet që mbulohen nga Konventa apo protokollet përkatëse. Këto organizata do të informojnë gjithashtu, Depozituesin për çdo ndryshim thelbësor për shtrirjen e kompetencave të tyre.
  1. Dispozitat e nenit 13, paragrafi 2, do të zbatohen nga organizatat rajonale të integrimit ekonomik që aderojnë në këtë Konventë apo në çdo protokoll.

Neni 15: E drejta e votës 

  1. Çdo Palë në këtë Konventë apo protokoll do të ketë një votë.
  1. Me përjashtim siç është parashikuar në paragrafin 1, më lart, organizatat rajonale të integrimit ekonomik, në çështjet brenda kompetencave të tyre, do të ushtrojnë të drejtën e votës me një numër të njëjtë votash me numrin e Shteteve të tyre anëtare që janë Palë në Konventë apo në protokollin përkatës. Organizata të tilla nuk do ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në qoftë se Shtetet e tyrë anëtare ushtrojnë të tyren dhe anasjelltas.

Neni 16: Marrëdhënia midis Konventës dhe protokolleve të saj. 

1. Një shtet apo një organizatë rajonale e integrimit ekonomik nuk mund të jetë Palë në një protokoll, me përjashtim nëse është ose bëhet, në të njëjtën kohë, Palë në Konventë.

2. Vendimet në lidhje me çdo protokoll do të merren vetëm nga Palët e protokollit në fjalë.

Neni 17: Hyrja në fuqi. 

  1. Kjo Konventë do të hyjë në fuqi në ditën e nëntëdhjetë pas datës së depozitimit të instrumentit të njezetë të ratifikimit, pranimit, miratimit ose aderimit.
  1. Çdo protokoll, me përjashtim të rastit kur është parashikuar ndryshe në një protokoll të tillë, do të hyjë ne fuqi në ditën e nëntëdhjetë pas datës së depozitimit të instrumentit të njëmbëdhjetë të instrument të ratifikimit, pranimit ose miratimit të këtij protokolli ose aderimit në të.
  1. Për çdo Palë që ratifikon, pranon apo miraton këtë Konventë apo që aderon në të pas depozitimit të instrumentit të njëzetë të ratifikimit, pranimit, miratimit apo aderimit, ajo do të hyjë në fuqi në ditën e nëntëdhjetë pas datës së depozitimit të kësaj Pale të instrumenteve të saj të ratifikimit, pranimit, miratimit apo aderimit.
  1. Çdo protokoll, me përjashtim të rastit kur parashikohet ndryshe në një protokoll të tillë, do të hyjë në fuqi për një palë që ratifikon, pranon apo miraton këtë protokoll apo aderon në të, pas hyrjes së tij në fuqi, në përputhje me paragrafin 2 më lart, në ditën e nëntëdhjetë pas datës në të cilën ajo palë depoziton instrumentin e ratifikimit, pranimit, miratimit apo aderimit, ose në datën në të cilën Konventa hyn në fuqi për këtë Palë, cilado qoftë kjo e fundit.
  1. Për qëllime të paragrafit 1 dhe 2 më lart, çdo instrument i depozituar nga çdo organizatë rajonale e integrimit eknomik, nuk do të llogaritet si shtesë e atyre të depozituara nga Shtetet anëtare të organizateve të tilla.

Neni 18: Rezervimet  Kësaj Konvente nuk mund t’i bëhet asnjë rezervim.

Neni 19: Tërheqja 

  1. Në çdo kohë pas katër vitesh nga data në të cilën kjo Konventë ka hyrë në fuqi për një Plaë, ajo Palë mund të tërhiqet nga Konventa duke bërë një njoftim me shkrim tek Depozituesi.
  1. Me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në ndonjë protokoll, në çdo kohë pas katër vitesh nga data në të cilën një protokoll i tillë ka hyrë në fuqi për një palë, kjo palë mund të tërhiqet nga protokolli duke bërë një njoftim me shkrim tek Depozituesi.
  1. Çdo tërheqje e tillë do të hyjë në fuqi me skadimin e një viti pas datës së marrjes së njoftimit nga Depozituesi, ose në një datë të mëvonshme siç mund të jetë specifikuar në njoftimin për tërheqje.
  1. Çdo Palë e cila tërhiqet nga kjo Konventë do të konsiderohet që ajo është tërhequr gjithashtu edhe për çdo protokoll në të cilin ajo është palë.

Neni 20: Depozituesi

  1. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të marrë përsipër funksionin e depozituesit të kësaj Konvente dhe të çdo protokolli.
  1. Depozituesi do të informojë Palët, në veçanti për:

(a)    Nënshkrimin e kësaj Konvente dhe të çdo protokolli, dhe depozitimin e instrumentave të ratifikimit, pranimit, miratimit apo aderimit në përputhje me nenin 13 dhe 14;

(b)   Datën në të cilën Konventa dhe çdo protokoll i saj do të hyjë në fuqi në përputhje me nenin 17;

(c)    Njoftimet për tërheqje të bëra në përputhje me nenin 19;

(d)   Amendimet e adoptuara në lidhje me Konventën dhe çdo protokoll të saj, pranimet e tyre nga palët dhe datën e hyrjes në fuqi të tyre në përputhje me nenin 9;

(e)    Të gjitha komunikimet në lidhje me adaptimin dhe miratimin e anekseve dhe amendimeve të anekseve në përputhje me nenin 10;

(f)    Njoftimet nga organizatat rajonale të integrimit ekonomik për zgjerimin e kompetencave në lidhje me çështjet që mbulohen nga Konventa dhe çdo protokoll i saj dhe të çdo modifikimi të tyre.

(g)   Deklaratat e bëra në përputhje me nenin 11, paragrafi 3.  

Neni 21: Tekstet autentike 

Origjinali i kësaj Konvente, nga i cili tekstet në gjuhën Arabe, Kineze, Angleze, Franceze, Ruse dhe Spanjolle, janë në mënyrë të barabartë autentike dhe do të depozitohen me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. NË DËSHMI TË KËSAJ, nënshkruesit, duke qenë të autorizuar siç duhet për këtë arsye, kanë nënshkruar këtë Konventë.

BËRË NE VIENË MË 22 MARS 1985

Aneksi I: Kërkimet dhe vëzhgimet sistematike

  1. Palët në këtë Konventë njohin që çështjet kryesore shkencore janë:

(a)    Modifikimi i shtresës së ozonit e cila do të shkaktojë një ndryshim në sasinë e rrezatimit ultraviolet duke patur efekte biologjike (UV-B) që arrijnë në sipërfaqen e tokës dhe pasojat potenciale për shendetin e njeriut, për organizmat, ekosistemet dhe materialet e përdorshme nga njerëzimi; (b)   Modifikimi i shpërndarjes vertikale të ozonit, i cili mund të ndryshojë strukturën e temperaturës të atmosferës dhe pasojat potenciale për motin dhe klimën.

  1. Palët në Konventë, në përputhje me nenin 3, do të bashkëpunojnë në kryerjen e kërkimeve dhe vëzhgimeve sistematike dhe në formulimin e rekomandimeve për kërkimet dhe vëzhgimet e ardhshme në fusha të tilla si:

(a)    Kërkime në fizikën dhe kiminë e atmosferës

i)        Modelet teorike gjithëpërfshirëse: zhvillim të mëtejshëm të modeleve cilat konsiderojnë ndërveprimin ndërmjet proçeseve rrezatuese, dinamike dhe kimike; studime të efekteve të njëkohshme të ndryshme të shkaktuara nga njeriu dhe në mënyrë të natyrshme nga speciet mbi ozonin atmosferik; interpretimet e të dhënave të marra nga matjet me satelit dhe pa satelit; vlerësimin e tendencës së parametrave atmosferike dhe gjeofizik dhe zhvillimin e metodave që atribuojnë ndryshimet në këto parametra për shkaqe specifike;

ii)      Studimet laboratorike të: raportit të koefiçientëve, absorbimit të tërthortë dhe mekanizmat e proçeseve kimike troposferike dhe stratosferike dhe proçeseve fotokimike; të dhënat spektroskopike për të mbështetur fushën e matjeve në të gjitha rajonet spektrale përkatëse;

iii) Matjet në terren: përqëndrimin dhe fluksin e gazeve kryesore që shërbejnë si burime si me origjinë natyrore ashtu dhe antropogjenike; studimet të dinamikës atmosferike; matjet e njëkohëshme të specieve që kanë lidhje me fotokiminë, deri poshtë në vijën kufitare planetare, duke përdorur në instrumentat e studimit vend dhe larg vendit; ndërkrahasimin e sensorëve të ndryshëm, duke përfshirë matje të koordinuara të korreluara për instrumentet satelitorë; fushat tre-dimensionale të përbërësave kryesorë gjurmues atmosferik, fluksin diellor spektral dhe parametrat meteorologjike;

iv) Zhvillimin e instrumentave, duke përfshirë sensorët satelitorë dhe jo satelitorë për përbërësat gjurmues atmosferik, fluksin diellor dhe parametrat meteorologjike;

(b)   Kërkime në efektet mbi shëndetin, biologjike dhe ato fotodegraduese.

i)     Lidhja ndërmjet ekspozimit të njeriut ndaj rrezatimit diellorë të dukshme dhe atyre ultraviolet dhe a) zhvillimi i të dy llojeve të kancerit të lëkurës, jo melanoma dhe melanoma dhe b) efektet në sistemin imunologjik;

ii)   Efektet e rrezatimit UV-B, duke përfshirë varësinë nga gjatësia e valës,  mbi

a) drithërat bujqësore, pyjet dhe ekosistemet e tjera tokësore dhe

b) rrjetin e ushqimeve ujore dhe peshkmin si dhe ndalimin e mundur të prodhimit të oksigjenit nga fitoplanktonët detar;

iii) Mekanizmat nga të cilat rrezatimit UV-B vepron mbi materialet biologjike, speciet dhe ekosistemet, duke përfshirë marrëdhënien midis dozës, shkallës së dozës, dhe reagimin; fotoriparimin, adaptimin, dhe mbrojtjen.

iv)  Studimet e spektrave të veprimit biologjik dhe reagimit spektral duke përdorur rrezatimin polikromatik me qëllim që të përfshihen ndërveprimet e mundshme të rajoneve me gjatësi të ndryshme valësh.

v)    Influenca e rrezatimit UV-B mbi: ndjeshmërinë dhe aktivitetet e specieve biologjike të rëndësishme për balancën biosferike; proçeset kryesore siç është fotosinteza dhe biosinteza;

vi)  Influenca e rrezatimit UV-B mbi fotodegradimin e ndotësve, kimikatet bujqësore dhe materiale të tjera.

(c)    Kërkime mbi efektet në klimë

i)     Studime teorike dhe vëzhguese mbi efektet rrezatuese të ozonit dhe specieve të tjera gjurmuese dhe ndikimi mbi parametrat e klimës, siç është në temperaturën e sipërfaqes së tokës dhe oqeaneve, karakteristikat e reshjeve, dhe shkëmbimin ndërmjet troposferës dhe stratosferës;

ii)   Hetimi i efekteve të ndikimeve të tilla klimatike mbi aspekte të ndryshme të aktiviteteve njerëzore.

(d)   Vëzhgimet sistematike mbi:

i)     Gjendjen e shtresës së ozonit (dmth ndryshimi hapsinor dhe kohor i përmbajtjes totale të kolonës dhe shpërndarja vertikale) duke krijuar Sistemin e Vëzhgimit Global të Ozonit, bazuar në integrimin e sistemeve satelitore dhe të bazuara në tokë, plotësisht operacionale;

ii)   Përqëndrimet troposferike dhe stratosferike të gazeve burim për HOx, NOx, ClOx dhe familjet e karbonit;

iii) Temperarturën nga toka në mezosferë, duke përdorur të dy sistemet, atë satelitore dhe atë të bazuar në tokë;

iv)  Gjatësi vale e zgjedhur për fluksin diellor që arrin, dhe rrezatimi termik që largohet nga atmosfera e tokës, duke përdorur matjet me satelit.

v)   Gjatësi vale e zgjedhur për fluksin diellor që arrin sipërfaqen e tokës në diapazonin  ultraviolet, duke patur efekte biologjike (UV-B);

vi)  Vetitë aerosol dhe shpërndarja nga toka në mezosferë, duke përdorur sistemet satelitore, të bazuar në tokë dhe ato me origjinë ajrore.

vii)   Variablat e rëndësishëm klimatik nga mbajtja e programeve të matjeve  sipërfaqësore meteorologjike të cilësisë së lartë.

viii)   Speciet gjurmuese, temperaturat, fluksin diellor dhe aerosolet duke përdorur metodat e përmirësuara për të analizuar të dhëna globale.

  1. Palët në Konventë do të bashkëpunojnë, duke marrë në konsideratë nevojat kryesore të vendeve në zhvillim, në promovimin e trajnimeve të duhura shkencore dhe teknike të nevojshme per të marrë pjesë në vëzhgimet sistematike dhe kërkimet siç është përcaktuar në këtë aneks. Rëndësi e veçantë i duhet dhënë ndërkalibrimit të instrumentave dhe metodave të vëzhgimit me synim që të gjenerohen grupe të dhënash të krahasueshme dhe të standartizuara.
  1. Substancat e mëposhtme kimike me origjinë natyrore dhe antropogjenike, jo të radhitura sipas prioriteteve, mendohet të kenë potencialin në modifikimin e vetive kimike dhe fizike te shtresës së ozonit.

(a)  Substancat e karbonit

i) Monoksidi i karbonit ( CO ) Monoksidi i karbonit ka burime të rëndësishme natyrore dhe antropogjenike, dhe mendohet të luajë një rol të drejtpërdrejtë në fotokiminë troposferike dhe një rol jo të drejtëpërdrejtë në fotokiminë stratosferike.

ii) Dioksidi i karbonit (CO2) Dioksidi i karbonit ka burime të rëndësishme natyrore dhe antropogjenike dhe ndikon ozonin stratosferik duke ndikuar në strukturat termale të atmosferës.

iii) Metani(CH4) Metani ka burime natyrore dhe antropogjenike dhe ndikon mbi si në ozonin troposferik ashtu dhe në atë stratosferik.

iv) Lloje/specie hidrokarbure jo-metan Llojet hidrokarbure jo-metan, të cilat konsistojnë në një numër të madh të substancave kimike, kanë burime natyrore dhe antropogjenike dhe luajnë një rol të drejtpërdrejtë në fotokiminë troposferike dhe një rol jo të drejtëpërdrejtë në fotokiminë stratosferike.

(b)  Substancat e azotit

i)     Oksidi i azotit ( N2O) Burimet dominuese të N2O janë ato natyrore, por kontributet antropogjenike po bëhën të rëndësishme gjithmonë e më shumë. Oksidi i azotit është burimi kryesor i NOX stratosferik, i cili luan një rol kryesor në kontrollin e ozonit të tepërt stratosferik.

ii)   Oksidet e azotit (NOX) Burimet e nivelit-tokë të NOX luajnë një rol kryesor të drejtpërdrejtë vetëm ne proceset fotokimike troposferike dhe një rol jo të drejtëpërdrejtë në fotokiminë e stratosferës, ndërsa injektimi i sasive të NOX  në afërsi te tropopauzës mund të shkaktojë një ndryshim të drejtpërdrejtë në pjesën e sipërme të ozonit stratosferik dhe troposferik.

(c)  Substancat e Klorurit

i) Alkanet e halogjenuara plotësisht, si p.sh., CCl4, CFCl3, ( CFC-11), CF2Cl2 (CFC-12), C2F3 Cl3 (CFC-113), C2F4Cl2 (CFC-114) Alkanet e halogjenuara plotësisht janë antropogjenike dhe veprojnë si një burim i ClOX , i cili luan një rol kryesor në proçeset fotokimike që ndodhin në ozon, veçanërisht rajonet me lartësitë 30-50 km.

ii) Alkanet e halogjenuara pjesërisht, p.sh., CH3Cl, CHF2Cl (CFC-22), CH3CCl3, CHFCl2 (CFC-21) Burimet e CH3Cl janë natyrore, ndërsa alkanet e tjera të halogjenuara pjesërisht të përmendura më lart janë me origjinë antropogjenike. Këto gaze veprojnë gjithashtu si një burim i ClOX stratosferik.

(d)  Substancat e Bromureve

Alkanet e halogjenuara plotësisht, p.sh., CF3Br  Këto gaze janë antropogjenike dhe veprojnë si një burim i BrOX, i cili sillet në një mënyrë të ngjashme me ClOX.

(e)  Substancat e hidrogjenit

i)     Hidrogjeni (H2) Hidrogjeni, burimi i të cilit është natyror dhe antropogjenik, luan një rol të vogël në proceset fotokimike të stratosferës.

ii)   Uji (H2O) Uji, burimi i të cilit është natyror, luan një rol të rëndësishëm jetësor në proceset fotokimike si të troposferës ashtu edhe të stratosferës. Burimet lokale të avujve të ujit në stratosferë përfshijnë procesin e oksidimint të metanit dhe në një shtrirje më të vogël atë të hidrogjenit.

Aneksi II:  Shkëmbimi i informacionit 

  1. Palët në Konventë njohin që mbledhja dhe shkëmbimi i informacionit është një aspekt i rëndësishëm për implementimin e objektivave të kësaj Konvente dhe sigurimin që çdo veprim që mund të ndërmerret është i drejtë dhe i barabartë. Si rrjedhojë, Palët do të shkëmbejnë informacion shkencor, teknik, social ekonomik, biznesi, tregtar dhe ligjor.
  1. Palët në Konventë, kur vendosin se cfarë informacioni duhet të mblidhet dhe të shkëmbehet, duhet të marrin në konsideratë vlefshmërinë e informacionit dhe shpenzimet për marrjen e tij. Për më tepër Palët njohin që bashkëpunimi në përputhje me këtë aneks duhet të bëhet në përputhje me ligjet kombëtare, rregullat dhe praktikat në lidhje me patentat, sekretin e tregut, dhe mbrojtjen e informacionit konfidencial dhe të pronësisë.

1. Informacioni shkencor

Ky përfshin informacionin për:

(a)    Kërkimet e planifikuara dhe të vazhdueshme, si ato qeveritare ashtu dhe ato private, për të lehtësuar koordinimin e programeve kërkimore si dhe për të bërë një përdorim më efektiv të burimeve të vlefshme kombëtare dhe ndërkombëtare;

(b)   Të dhënat e emetimeve të nevojshme për kërkimet;

(c)    Rezultatet shkencore të publikuara në literaturën e rishikuar nga kolegët, mbi kuptimin e proçeseve kimike dhe fizike të atmosferës së tokës dhe për ndjeshmërinë e saj për të ndryshuar, veçanërisht mbi gjendjen e shtresës së ozonit dhe efekteve mbi shëndetin e njeriut, mjedisit dhe klimës, të cila mund të vijnë si rezultat i ndryshimeve gjatë gjithë kohërave ose në shpërndarjen vertikale të ozonit ose në përmbajtjen totale të kolonës së tij.

(d)   Vlerësimin e rezultateve të punës kërkimore dhe rekomandimet për kërkimet në të ardhmen.

2. Informacion teknik

Ky përmban informacion për:

(a)    Disponueshmërinë dhe shpenzimet për substancat zëvendësuese kimike dhe të teknologjive alternative për reduktimin e emetimeve të substancave që modifikojnë shtresën e ozonit dhe kërkimet e planifikuara dhe të vazhdueshme që bëhen në lidhje me të.

(b)   Kufizimet dhe çdo rrezik të përfshirë në përdorimin e kimikateve ose substancave të tjera dhe teknologjive alternative.

3. Informacioni social-ekonomik dhe tregtar për substancat e referuara në aneksin I

Ky përfshin informacionin për:

(a)    Prodhimin dhe kapacitetin prodhues;

(b)   Përdorimin dhe formën e përdorimit;

(c)    Import/Eksport -in;

(d)   Shpenzimet, rrezikun dhe përfitimet e aktiviteteve njerëzore të cilat jo drejtëpërdrejtë mund të ndikojnë në ndryshimin e shtresës së ozonit dhe të ndikimeve të veprimeve rregullatore të marra ose që merren në konsideratë për kontrollin e këtyre aktiviteteve.

4. Informacioni ligjor

Ky përfshin informacion për:

(a)    Ligjet kombëtare, masat administrative dhe kërkimet ligjore që kanë lidhje me mbrojtjen e shtresës së ozonit.

(b)   Marrëveshjet ndërkombëtare, duke përfshirë marrëveshjet bilaterale, që kanë lidhje me mbrojtjen e shtresës së ozonit;

(c)    Metodat dhe afatet e licensimit dhe vlefshmërinë e patentave që kanë lidhje me mbrojtjen e shtresës së ozonit.

Deklaratat

(bërë në kohën e adaptimit të Aktit Final të Konferencës së Përfaqësuesve Fuqi Plotë për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit [1])

  1. Delegacionet e Australisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Kilit, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Republikës Federale të Italisë, Hollandës, Zelandës së Re, Norvegjisë, Suedisë, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut shprehin keqardhjen e tyre për mungesën nga Konventa e Vienës për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit të çdo dispozite për zgjidhjen e detyrueshme të mosmërreveshjeve nga palë të treta, me kërkesë të një pale. Në mënyrë të qëndrueshme me mbështetjen e tyre tradicionale për një proçedurë të tillë, këto delegacione apelojnë te të gjitha Palët e Konventës për të përdorur një mundësinë të një deklarate sipas nenit 11, paragrafi 3, të Konventës.
  1. Delegacioni i Egjiptit thekson rëndësinë e bashkëngjitur nga Qeveria e tij ndaj përpjekjeve ndërkombëtare dhe kombëtare për të mbrojtur mjedisin, duke përfshirë shtresën e ozonit. Për këtë arsye, ka marrë pjesë që nga fillimi i punës përgatitore për Konferencën e Përfaqësuesve Fuqi Plotë për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit dhe në adaptimin e Konventës dhe rezolutat. Ndërkohë që është dakort me konsensusin në nenin 1 të Konventës, delegacioni i Egjiptit e kupton paragrafin 6 që zbatohet për të gjitha organizatat rajonale, duke përfshirë Organizatën për Unitet Afrikan dhe Ligën e Shteteve Arabe, duke parashikuar që ato plotësojnë kushtet e përcaktuara në atë nen, më konkretisht, që ato kanë kompetencë në lidhje me çështjet e mbuluara nga kjo Konventë dhe janë autorizuar siç duhet nga Shtetet e tyre Anëtare në përputhje me rregullat e tyre të brëndshme të proçedurës. Ndërkohë që është dakort me konsensusin në nenin 2 të Konventës, delegacioni i Egjiptit deklaron që fjalia e parë e paragrafit 2 e atij neni duhet të lexohet duke marrë parasysh paragrafin e tretë të hyrjes. Ndërkohë që është dakort me konsensusin në Rezolutën Nr.1 për Planifikimet Institucionale dhe Financiare, delegacioni i Egjiptit deklaron që miratimi i tij për paragrafin e tretë të hyrjes të asaj Rezolute është pa cënuar pozicionin e tij për metodën e ndarjes së kontributeve midis Shteteve Anëtare, me referencë të veçantë për opsionin 2, të cilin ai e kishte mbështetur gjatë diskutimeve për dokumentin përgatiror UNEP/ËG.94/13, ku 80 për qind e shpenzimeve do të mbulohet nga vendet e industrializuara dhe 20 për qind të mbetura shpërndahen midis shteteve anëtare në bazë e shkallës së vlerësimit të Kombeve të Bashkuara.
  1. Në lidhje me Rezolutën Nr 2 në Protokollin në lidhje me klorfluorkarbonet, delegacioni i Japonisë është i opinionit që një vendim nëse do të vazhdojë apo jo puna në një protokoll, duhet të presë rezultatet e punës të Komitetit Koordinues për Shtresën e Ozonit. Së dyti, në lidhje me paragrafin 6 të rezolutës të lart përmendur, delegazioni i Japonisë është i opinionit që çdo shtet duhet të vendosë vetë sesi të kontrollojë emetimet e klorfluorkarbonet.
  1. Delegacioni i Spanjës deklaron, në përputhje me interpretimin nga Presidenti i Konferencës në deklaratën e tij të datës 21 Mars 1985, që Qeveria e tij e kupton paragrafin 6 të Rezolutës për Protokollin në lidhje me klorfluorkarbonet që i drejtohet ekskluzivisht vetë shteteve individuale, të cilëve u kërkohet të kontrollojnë kufizimet e prodhimit ose të përdorimit dhe jo vendeve të treta apo organizatave rajonale në lidhje me këto shtete.
  1. Delegacioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklaron që ai e kupton nenin 15 të Konventës që organizatat rajonale të integrimit ekononik, ku asnjë nga Shtetet Anëtare të tyre nuk është Palë në Konventë ose në Protokollin përkatës, do të ketë secila një votë. Më tej kupton që neni 15 nuk lejon asnjë votë të dyfishtë nga organizatat rajonale të integrimit ekononik dhe nga Shtetet e tyre anëtare, që do të thotë, organizatat rajonale të integrimit ekononik nuk mund të votojnë kurrë krahas Shteteve të tyre anëtare të cilat janë palë në Konventë ose në protokollin përkatës dhe anasjelltas.

Ky publikim përmban tekstin e Konventës së Vienës për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit siç është adaptuar nga 28 shtete më 22 Mars 1985 në Konferencës e Përfaqësuesve Fuqi Plotë për Mbrojtjen e Shtresës së Ozonit dhe siç është depozituar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Konventa e Vienës inkurajon bashkëpunim ndër qeveritar për kërkimet shkencore, vëshgimin sistematik të shtresës së ozonit, monitorimin e prodhimit të CFC-së dhe shkëmbimin e informacioni. Edhe pse nuk përmbante asnjë përkushtim për të marrë ndonjë veprim për të reduktuar prodhimin apo konsumimin e CFC-së, megjithatë Konventa e Vienës ishtë një hap i rëndësishëm: kombet ranë dakord në parim për të trajtuar një problem global mjedisor përpara se efektet e tij të ndjeheshin apo ekzistenca e tij të provohej shkencërisht, ndoshta shëmbullin e parë të pranimit të “parimit parandalues” në negociata të mëdha ndërkombëtare. Gjithashtu, Protokolli i rëndësishëm i Montrealit 1987 për Substancat që Hollojnë Shtresën e Ozonit është negociuar sipas kësaj Konvente. Konventa e Vienës vazhdon të japë udhëzime për monitorimin, kalibrimin dhe arkivimin e matjeve të ozonit stratosferik dhe troposferik, dhe të profileve vertikale të ozonit, rrezatimit UV-B, specie të tjera gjurmuese atmosferike dhe aerosols. Ai shërben si udhëzim edhe për aktivitetet e lidhura kërkimore që janë thelbësore për të kuptuar problemin e hollimit të shtresës së ozonit dhe ndërveprimet midis shtresës së ozonit dhe klimës. Që nga muaji Nëntor 2001, 184 Palët kanë ratifikuar Konventën e Vienës.

Sekretariati i Ozonit

Programi për Mjedisin i Kombeve të Bashkuara

O. Box 30552, Nairobi, Kenya

Tel: (254 2) 62 3850 · Fax: (254 2) 62 3913/62 3601

http://www.unep.org/ozone ose http://www.unep.ch/ozone

Email: Ozoneinfo @ unep.org

Konferenca ra dakort që deklaratat që përmbahen në paragrafët 1 deri 3, siç janë dorëzuar më datë 21 Mars 1985 dhe deklaratat që përmbahen në paragrafët 4 dhe 5, siç janë dorëzuar më datë 22 Mars 1985, duhet ti bashkangjiten Aktit Final.