PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 453, DATË 23.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË PAJISJEVE, QË PËRDORIN LËNDË OZONHOLLUESE, TË CILAT NDALOHEN TË PRODHOHEN E TË IMPORTOHEN, SI DHE RREGULLAT E PROCEDURAT E ZËVENDËSIMIT TË LËNDËVE OZONHOLLUESE NË PAJISJET EKZISTUESE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 35, të ligjit nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

Në vendimin nr. 453, datë 23.6.2005, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Titulli dhe përmbajtja e kreut IV ndryshohen, si më poshtë vijon:

“KREU IV LICENCA E IMPORTIT TË SUBSTANCAVE OZONHOLLUESE

1. Me licencë, sipas kërkesave të këtij vendimi, pajisen personat fizikë ose juridikë, si dhe shoqëritë tregtare të cilat kërkojnë të importojnë substanca ozonholluese. Kërkuesi, që aplikon pranë Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) për t’u pajisur me licencë për importin e substancave ozonholluese, sipas nënkategorisë III.3, përveç dokumentacionit të përcaktuar në vendimin nr. 538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, duhet të dorëzojë edhe formularin e kërkesës sipas shtojcës 1 bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ministria e Mjedisit, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e marrjes së aplikimit për licencë për import të substancave ozonholluese nga QKL-ja, përcjell për mendim formularin e kërkesës pranë Njësisë Kombëtare të Ozonit (NJKO).

3. Njësia Kombëtare e Ozonit jep mendimin e saj me shkrim brenda 10 (dhjetë) ditëve pune dhe ia përcjell ministrisë.

4. Ministria shqyrton aplikimin dhe mendimin e Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe harton aktin e miratimit/refuzimit të licencës për importin e substancave ozonholluese brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e marrjes së mendimit të NJKO-së.

5. Ministri nënshkruan aktin e miratimit /refuzimit për dhënien e licencës sipas shtojcave 2 dhe 4 bashkëlidhur këtij vendimi. Akti i miratimit /refuzimit i përcillet QKL-së brenda 5 (pesë) ditëve pune.

6. Ministri nënshkruan aktin e miratimit të licencës pasi të jetë hartuar raporti vjetor i parashikuar në pikën 7, të kreut V, të këtij vendimi. Një kopje e aktit të miratimit i dërgohet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

7. Formati i formularit të kërkesës dhe formati i aktit të miratimit janë sipas shtojcave 1 dhe 2 bashkëlidhur këtij vendimi.

8. Aplikimi për licencë importi nga subjektet bëhet 1 (një) herë në vit, për kuotë importi vjetore.

9. Ministri revokon licencën e dhënë personit fizik/juridik ose shoqërisë tregtare nëse ai/ajo nuk plotëson kushtet e përcaktuara në aktin e miratimit dhe njofton menjëherë QKL-në dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Formati i urdhrit të revokimit miratohet nga ministri.”.

2. Shtojca 5, që i bashkëlidhet vendimit në fuqi, zëvendësohet me shtojcat 1 dhe 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

3. Diagrami e Kuotave Vjetore të Importit të HCFC-së, së bashku me përzierjet e tyre, që i bashkëlidhet vendimit në fuqi, zëvendësohet me diagramin e dhënë në shtojcën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI
Edi Rama

SHTOJCA 1

FORMULARI I KËRKESËS PËR PAJISJE ME LICENCË TË IMPORTIMIT TË LËNDËVE OZONHOLLUESE

(1) Nr.:

(2) Emri dhe të dhënat e personit fizik/juridik që kërkon licencë importi:

Numri i Kodit të Regjistrimit të importuesit:

NIPT: Adresa (qyteti, rruga nr., etj): nr. telefoni:

Fax: Emri i personit të autorizuar:

(3) Emri dhe kodi tarifor për substancën ozonholluese që kërkohet të importohet:

(4) Emri dhe kodi tarifor për produktin që përmban ose përdor substancën ozonholluese që kërkohet të importohet: (5) Formula kimike për substancën ozonholluese që importohet ose që përmbahet në produktin qe kërkohet të importohet:

(6) Sasia në kilogramë e substancës ozonholluese që do të importohet:

(7) Sasia në kilogramë e substancës ozonholluese përmbahet në njësinë e produktit që do të importohet:

(8) Emri i shoqërisë tregtare nga do të blihet substanca ozonholluese dhe të dhënat e saj: Adresa (Shteti, qyteti, rruga, nr etj): Telefoni: Fax:

(9) Qëllimi i përdorimit të substancës ozonholluese:

(10) Data e kërkesës për marrjen e licencës:

Personi i autorizuar

Emri-mbiemri

Firma, vula