Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ozonit, Njësia Kombëtare e Ozonit si dhe Ministria e Mjedisit organizuan një seri aktivitetesh nga data 16 deri 22 shtator duke e quajtur “Java e ozonit”. Më konkretisht:
Në 16 shtator nxënësit e shkollës së mesme “Edith Durham” në Tiranë e festuan Ditën Ndërkombëtare të Ozonit në një ceremoni të veçantë. Në pjesën e parë të aktivitetit u lexua mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm UN “Për ditën ndërkombëtare të mbrojtjes së ozonit, 2014” nga Dea Kozma, një nga nxënëset më të mira të shkollës. Më pas aktiviteti vazhdoi me prezantimin e një informacioni lidhur me historikun e krijimit të vrimës së ozonit, rëndësinë e mbrojtjes së shtresës së ozonit, të përgatitura nga Znj.Majlinda Dervishaj, drejtoresha shkollës, mësuesit dhe përfaqësuesi i Njësisë kombëtare të Ozonit. Në mbyllje të aktivitetit nxënësit lëshuan tullumbacet në ajër duke thërritur – “Mbrojtja ozonit – Misioni vazhdon”. Aktiviteti u pasqyrua gjerësisht nga televizionet kryesore në vend.