Më 16 shtator 2021, u organizua ekspozita e pikturave “Qyteti im Evropian” Aty u prezantuan 43 piktura të nxënësve të shkollës “Edith Durham”  dhe Kolegjit “Turgut Ozal” në Tiranë Ky aktivitet u organizua nga Njësia Kombëtare e Ozonit në bashkëpunim me “ABC TIRANA CLUB” dhe “Europa House – Delegacioni i BE-së në Tiranë”. Ajo që spikati në veprat e paraqitura në ekspozitë ishte mesazhi që nxënësit i drejtuan prindërve dhe mësuesve: “Ruani Ozonin; Ruani Tokën; Shpëtoni qytetin tonë ”. Në pikturat e fëmijëve mbizotëronte dashuria për një jetë më të shëndetshme, dëshira e tyre për të mbrojtur shtresën e Ozonit dhe qytetin e tyre dhe mesazhi për një përpjekje të përbashkët drejt këtij drejtimi. Kjo ekspozitë u realizua nën mbikëqyrjen e mësueses së përkushtuar të Artit Figurativ, Znj. Ermira Qosja dhe piktores së mirënjohur shqiptare Znj. Silvana Maranaku. Më pas, u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve. Të gjithë pjesëmarrësve në konkurs iu dhanë certifikata dhe diploma.

 

Në përfundim të këtyre aktiviteteve, z. Johan Muka, Drejtor Ekzekutiv i “ABC TIRANA CLUB”, theksoi se aktivitetet e organizuara në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit, përveç informacionit që nxënësit marrin mbi Shtresën e Ozonit, Konventën e Vjenës dhe Protokollin e Montrealit, krijojnë gjithashtu një atmosferë frymëzuese për nxënësit, duke u ndjerë pjesë e përpjekjeve mbarëbotërore për mbrojtjen e shtresës së Ozonit.