Më 20 shtator 2021, u zhvillua një aktivitet interesant me fëmijët e “Qëndrës Komunitare Multidisiplinare” në Tiranë. Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 30 fëmijë të moshave 8 – 12 vjeç, 5 pjesëtarë të stafit të “Qëndrës Komunitare Multidisiplinare” dhe gjithashtu përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale në Bashkinë Tiranë. Aktiviteti u organizua nën moton: “Protokolli i Montrealit: Mban ftohët ushqimin dhe vaksinat tona”.
Gjatë pjesës së parë, u organizuan një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese, siç ishte sesioni informues në lidhje me Ditën Botërore të Ozonit 16 Shtator 2021, Protokollin e Montrealit mbi Substancat që Dëmtojnë Shtresën e Ozonit, si dhe shkaqet kryesore dhe rëndësinë e mbrojtjes së shtresës së ozonit. Gjithashtu u shfaqën video për fëmijët, të tilla si “IT’S THE KEY FOR OUR SURVIVAL, Dita Botërore e Ozonit 2021” dhe “Ruajtësit e Galaxy: Heronjtë e Ozonit”. Përfaqësuesit e NOU në bashkëpunim me mësuesit e “Qendrës Komunitare Multidisiplinare” u shpjeguan fëmijëve se cila është shtresa e ozonit dhe pse ajo duhet të mbrohet.
Në pjesën e dytë të aktivitetit, fëmijëve ju dhuruan lloje të ndryshme lojërash si; shah, domino, lojëra me letra, ludo, etj. I pranishëm ishte edhe një animator i cili argëtoi fëmijët me një larmi këngësh, vallëzimesh dhe lojërash, duke u dhënë atyre një ditë mjaft argëtuese. Gjithashtu, gjatë aktivitetit fëmijët pikturuan piktura të ndryshme kushtuar këtij qyteti, duke shprehur ndjenjat e tyre për këtë ditë të veçantë. Përfaqësuesit e “Qendrës Sociale Multidisiplinare” theksuan se informacioni dhe edukimi i fëmijëve përmes argëtimit është një sukses, i cili arrin edhe në familjet e tyre. Në fund, postera, libra komikë, lojëra të ndryshme, bluza, maska dhe kapele me logon e Ditës Botërore të Ozonit 2021 u shpërndanë për të gjithë nxënësit dhe mësuesit.