Prej vitit 2011 Shqipëria është pjesë e projektit të HPMP, i cili synon të implementojë dhe të mbështesë aktivitete të ndryshme, me synimin për të asistuar Shqipërinë në përmbushjen e objektivave të parashikuar nga Protokolli i Montrealit, dhe në veçanti detyrimit për të reduktuar në masën 35% konsumin e HCFC deri më 1 janar 2020.
Hidroklorofluorokarbonet (HCFC-të) për shkak të dëmtimeve në masë më të vogël që këto substanca shkaktonin në shtresën e ozonit, kanë shënuar një përdorim të gjerë në sektorin e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar, por si rrjedhojë e parashikimeve të Protokollit të Montrealit, përdorimi i këtyre substancave është në proces eliminimi. Nga të dhënat statistikore rezulton që vendet e Artikullit 5 të Protokollit të Montrealit, grupim në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria, sistemet e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar përbëjnë rreth 70 përqind të konsumit total të HCFC-ve. Si rrjedhojë, fokusimi i ndërhyrjeve dhe përpjekjeve për eliminimin e HCFC -ve në këtë sektor, do të kontribuonte në mënyrë të konsiderueshme në mbrojtjen e shtresës së ozonit.
Me qëllim rritjen e kapaciteve dhe përmirësimit të njohurive rreth Amendamentit të Kigalit, Alternativave në zëvëndësimin e HCFC-ve dhe HFC-ve, si pasojë duke reduktuar konsumin e HCFC-ve dhe HFC-ve në sistemet e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar, Njësia Kombëtare e Ozonit organizoi në Maj 2019 , dy trajnime dy ditore secili, në Tiranë dhe në Durrës.
Programi i trajnimit të teknikëve mbi ” Alternativat në sektorin e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar, për zëvëndësimin e HCFC-ve dhe HFC-ve me potencial të lartë në ngrohjen globale ” u hartua në kuadër të projektit HPMP me qëllim përmirësimin e njohurive dhe rritjen e kapaciteteve e aftësive profesionale të pjesëmarrësve. Gjatë ditës së parë të trajnimit, të zhvilluar më 28 Maj 2019, u shpalosën një sërë njohurish dhe konceptesh teorike, në lidhje me parimet e sigurisë dhe përmirësimit të aftësive të shërbimit dhe mirëmbajtjes. Teknikët u njohën më parimet e funksionimit të substancave të reja ftohëse – veçoritë, masat e sigurisë dhe trajtimin e sigurtë të liquideve ftohës të rinj, duke sjellë edhe një reduktim të rrjedhjeve gjatë proceseve të mirëmbajtjes. Sesionet e dedikuara për eficencën energjitike përbënin një element kryesor të programit të trajnimit. Gjatë këtyre sesioneve panelistët, paraqitën koncepte mbi efiçencën energjitike dhe përfitimet që ajo sjell për klimën dhe kontributet në ndryshimet klimaterike, pasi në rastin e përdorimit të kondicionerëve, kontributi kryesor i eficencës energjitike vjen si pasojë e uljes së emetimeve të CO2, gjatë procesit të prodhimi të energjisë elektrike.
Dita e dytë e trajnimit u konceptua dhe u organizua si një vizitë në terren, në një nga objektet që ka dhe funksionon me liquid ftohës natyral, specifikisht me amoniak. Vizita në terren u organizua në ambientet e Birra Tiranës, prodhuesi më i madh i birrës në Shqipëri dhe si rrjedhojë me sisteme ftohëse me kapacitet të madh, që implementon amoniak për këto sisteme, nëpërmjet përdorimit me fazë të vetme dhe zgjerim të drejtpërdrejtë.
Gjatë seancave praktike të ditës së dytë teknikët vizituan këto sisteme të cilat përdornin R717, I cili ka karakteristikat e një ftohësi me efikasitet të lartë sidomos për operacionet të cilat zhvillohen në shkallë të gjerë, si dhe sistem funksional me kursim energjie. Gjatë kësaj vizite u shpalosën edhe bazat e sistemeve industriale të ftohjes së amoniakut, duke nënvizuar rëndësinë e zhvillimit dhe zbatimit të praktikave të mira inxhinierike, në mënyrë që të garantohet siguria në punë.
Gjatë këtyre sesioneve, pjesëmarrësit janë njohur edhe me protokollet e sigurisë në përdorim nga ky subjekt si dhe me rëndësinë që ka trajnimi i vazhdueshëm i personelit që kryen funksionet e mirëmbajtjes së sistemit.
Dita e dytë u vlerësua në mënyrë të vecantë nga pjesëmarresit pasi ofroi një mundësi për njohjen në praktike të funksionimit të një sistemi ftohës, duke përdorur fluidet ftohës natyral.