Prej vitit 2011 Shqipëria është pjesë e projektit të HPMP, i cili synon të implementojë dhe të mbështesë aktivitete të ndryshme, me synimin për të asistuar Shqipërinë në përmbushjen e objektivave të parashikuar nga Protokolli i Montrealit, dhe në veçanti detyrimit për të reduktuar në masën 35% konsumin e HCFC deri më 1 janar 2020.
Hidroklorofluorokarbonet (HCFC-të) për shkak të dëmtimeve në masë më të vogël që këto substanca shkaktonin në shtresën e ozonit, kanë shënuar një përdorim të gjerë në sektorin e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar, por si rrjedhojë e parashikimeve të Protokollit të Montrealit, përdorimi i këtyre substancave është në proces eliminimi. Nga të dhënat statistikore rezulton që vendet e Artikullit 5 të Protokollit të Montrealit, grupim në të cilën bën pjesë edhe Shqipëria, sistemet e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar përbëjnë rreth 70 përqind të konsumit total të HCFC-ve. Si rrjedhojë, fokusimi i ndërhyrjeve dhe përpjekjeve për eliminimin e HCFC -ve në këtë sektor, do të kontribuonte në mënyrë të konsiderueshme në mbrojtjen e shtresës së ozonit.
Me qëllim rritjen e kapaciteve dhe përmirësimit të njohurive rreth Amendamentit të Kigalit, Alternativave në zëvëndësimin e HCFC-ve dhe HFC-ve, si pasojë duke reduktuar konsumin e HCFC-ve dhe HFC-ve në sistemet e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar, Njësia Kombëtare e Ozonit organizoi në Maj 2019 , dy trajnime dy ditore secili, në Tiranë dhe në Durrës.
Programi i trajnimit të teknikëve mbi ” Alternativat në sektorin e ftohjes dhe ajrit të kondicionuar, për zëvëndësimin e HCFC-ve dhe HFC-ve me potencial të lartë në ngrohjen globale ” u hartua në kuadër të projektit HPMP me qëllim përmirësimin e njohurive dhe rritjen e kapaciteteve e aftësive profesionale të pjesëmarrësve. Gjatë ditës së parë të trajnimit, të zhvilluar më 14 Maj 2019, u shpalosën një sërë njohurish dhe konceptesh teorike, në lidhje me parimet e sigurisë dhe përmirësimit të aftësive të shërbimit dhe mirëmbajtjes. Teknikët u njohën më parimet e funksionimit të substancave të reja ftohëse – veçoritë, masat e sigurisë dhe trajtimin e sigurtë të liquideve ftohës të rinj, duke sjellë edhe një reduktim të rrjedhjeve gjatë proceseve të mirëmbajtjes. Sesionet e dedikuara për eficencën energjitike përbënin një element kryesor të programit të trajnimit. Gjatë këtyre sesioneve panelistët, paraqitën koncepte mbi efiçencën energjitike dhe përfitimet që ajo sjell për klimën dhe kontributet në ndryshimet klimaterike, pasi në rastin e përdorimit të kondicionerëve, kontributi kryesor i eficencës energjitike vjen si pasojë e uljes së emetimeve të CO2, gjatë procesit të prodhimi të energjisë elektrike.
Dita e dytë e trajnimit u konceptua dhe u organizua si një vizitë punë në terren, dhe specifikisht në një nga subjektet tregëtare që ka implementuar sisteme bashkëkohore në Sektorin e Ftohjes dhe Ajrit të Kondicionuar, dhe që është një nga ndërtesat më eficencën më të lartë energjitike në Shqipëri, “Qendra Tregëtare Ring”. Gjatë këtyre sesioneve, teknikët janë njohur me sistemet moderne në përdorim nga kjo Qendër Tregëtare dhe specifikisht sistemet VRV IV dhe Pilkington K- E Double Glazing, e cila ka një efiçencë të lartë energjitike dhe emetime të ulëta të CO2. Ky lloj i veçantë xhami kthen mbrapsht ngrohjen në ndërtesë, duke përmirësuar dhe rritur ndjeshëm efikasitetin e saj termik, si rrjedhojë duke maksimizuar përdorimin e nxehtësisë diellore. Ky sistem ka krijuar një sërë përfitimesh ekonomike që lidhen me efiçiencën e energjisë, pra një shkallë më të ulët të konsumit të energjisë dhe uljen e emetimeve të CO2. Xhami K, ka një shtresë të vecantë e cila është një reflektor i mirë i nxehtësisë (rrezatimi me valë të gjatë). Kjo mundëson që më pak nxehtësi të kalojë përmes dritareve, dhe në të njëjtën kohë, lehtëson përdorimin e ngrohjes diellore.
Ky trajnim u vlerësua maksimalisht nga të pranishmit, nëpërmjet pasqyrimit të opinioneve dhe diskutimeve të parashtruara nga ana e tyre.