Në datën 15 shtator 2023, përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit zhvilluan një aktivitet interesant me fëmijët e Qendrës Komunitare “Të qëndrojmë së bashku” në Tiranë. Aktiviteti u organizua nën mbikëqyrjen e drejtoreshës së qendrës, znj. Egla Laze. Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 25 fëmijë të moshave 10 – 12 vjeç dhe 3 mësues të kësaj Qendre Komunitare. Aktiviteti u organizua nën moton: “Protokolli i Montrealit: Rregullimi i shtresës së ozonit dhe reduktimi i ndryshimeve klimatike”.
Gjatë pjesës së parë të këtij aktiviteti u organizua një sesion informues në lidhje me Ditën Botërore të Ozonit më 16 shtator 2023, Protokollin e Montrealit për Substancat që Demtojnë Shtresën e Ozonit dhe rëndësinë e mbrojtjes së kesaj shtrese. Përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit në bashkëpunim me mësuesit e Qendrës Komunitare “Të qëndrojmë së bashku” u shpjeguan fëmijëve se çfarë është shtresa e ozonit dhe pse duhet mbrojtur ajo.
Në pjesën e dytë të aktivitetit, fëmijët prezantuan ekspozitën e tyre të punimeve – si produkt i një pune përgatitore disaditore me mësuesen e artit dhe mësuesen e natyrës – me qëllim informimin e fëmijëve dhe ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë e mbrojtjes se shtreses se ozonit. Njësia Kombëtare e Ozonit siguroi të gjitha materialet për ekspozitën. Punimet e fëmijëve do të ndahen nga qendra sociale në institucione të tjera që operojnë në Tiranë me qëllim përcjelljen e mëtejshme të mesazheve për mbrojtjen e shtresës së ozonit.
Pjesa e tretë e aktivitetit ishte përgatitja e një instalacioni artistik nga vetë fëmijët (një qese plastike e lidhur mes dy pemëve ku fëmijët vizatuan konceptin e tyre për një planet të shëndetshëm) i cili synon të përcjellë mesazhin e nevojës së përdorimit të produkteve ekologjike në ndihmë të një jete të shëndetshme.
Përfaqësuesit e Qendrës Komunitare “To Stay Together” theksuan se informimi dhe edukimi i fëmijëve përmes argëtimit është një sukses, i cili do të percillet edhe në familjet e tyre, shkollat dhe komunitetin ku ata jetojnë. Aktivitetet e zhvilluara në këtë qendër i kanë edukuar fëmijët në mënyrë krijuese dhe argëtuese, duke pasur parasysh se është më mirë të parandalohen sesa të kurohen.