Në datën 19 shtator 2023, përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe “ABC TIRANA CLUB” zhvilluan fushatën sensibilizuese “Protokolli i Montrealit: Rregullimi i shtresës së ozonit dhe reduktimi i ndryshimeve klimatike” kushtuar Ditës Botërore të Ozonit, 16 shtator 2023. Qëllimi kryesor i kësaj fushate ishte ndërgjegjësimi i nxënësve për mbrojtjen e shtresës së ozonit. Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me shkollën e mesme “Kongresi Manastirit” në Yzberish. Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 23 nxënës të gjimnazit “Kongresi Manastirit”.
Gjatë fjalës së hapjes, përfaqësuesi i ABC Tirana Club shpalosi një pasqyrë të përgjithshme të rolit, qëllimeve dhe funksionit të Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe aktiviteteve kushtuar Ditës Botërore të Ozonit 2023. Në pjesën e parë të këtij aktiviteti u zhvilluan disa aktivitete sensibilizuese. të tilla si një sesion informues në lidhje me Ditën Botërore të Ozonit, 16 shtator 2023, Protokollin e Montrealit mbi Substancat që Hollojnë Shtresën e Ozonit dhe rëndësinë e mbrojtjes së kësaj shtrese.
Në pjesën e dytë u organizua ekspozita e pikturës “Save Ozone; Save Earth; Save our life” me 36 piktura të nxënësve të gjimnazit “Kongresi Manastirit” në Yzberish. Në pikturat e fëmijëve mbizotëronte dashuria për një jetë më të shëndetshme, dëshira për të mbrojtur shtresën e ozonit dhe qytetin e tyre dhe mesazhi për një përpjekje të përbashkët në këtë drejtim. Kjo ekspozitë u zhvillua nën mbikëqyrjen e mësuesit të përkushtuar të Artit Figurativ, Petrit Keraj. Në fund u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve. Të gjithë pjesëmarrësve iu dhanë certifikata te pjesmarrjen në këte aktivitet.
Z. Johan Muka, Drejtor Ekzekutiv i “ABC TIRANA CLUB”, theksoi se aktivitetet e organizuara në bashkëpunim me NOU, përveç informacionit që studentët marrin mbi Shtresën e Ozonit, Konventën e Vjenës dhe Protokollin e Montrealit, krijohet edhe një atmosferë frymëzuese për rininë, nga e cila nxënësit ndjehen mirë duke u bërë pjesë e përpjekjes mbarëbotërore për mbrojtjen e shtresës së ozonit.