Më 17 Shtator 2020, përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit zhvilluan një aktivitet me pjesëmarrësit e “Qendrës Sociale Multidisiplinare” në Tiranë. Në këtë aktivitet morën pjesë 35 persona që frekuentojnë shpesh Qendrën, stafi i “Qendrës Sociale Multidisiplinare” si dhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Tiranës.

Gjatë pjesës së parë të aktivitetit, programi përfshinte aktivitete si më poshtë:

  • Një leksion I hapur lidhur me “35 vjet mbrojtje të shtresës së ozonit” si dhe “Konventa e Vjenës dhe Protokolli i Montrealit mbi substancat që dëmtojnë shtresën e ozonit”;
  • Informacione rreth Ditës Botërore të Ozonit, prezantimi i temës dhe posterave të përgatitur nga Sekretariati Ozonit me rastin e Ditës Botërore të Ozonit, 2020;
  • Shfaqja e videove lidhur me rëndësinë e mbrojtjes së shtresës së Ozonit – “Dita Botërore e Ozonit 2020 – Ozon për jetë” dhe “Çfarëdo që të ketë ndodhur me vrimën e ozonit”.

Në pjesën e dytë të aktivitetit, për pjesmarrësit u shpërndanë lloje të ndryshme lojërash si; shah, domino, lojëra me letra, ludo, etj. Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësve dhe familjeve të tyre ju shpërndanë maska me logon e Ditës Botërore të Ozonit 2020.