Në datën 16 shtator 2022, përfaqësuesit e NOU zhvilluan një aktivitet interesant me fëmijët e “Qendrës Komunitare Multidisiplinare” në Tiranë. Aktiviteti u organizua nën moton: “Protokolli i Montrealit@35: Bashkëpunimi global që mbron jetën në tokë”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale në Bashkinë e Tiranës.
Gjatë pjesës së parë të këtij aktiviteti, u mbajtën një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese, si sesioni informues në lidhje me Ditën Botërore të Ozonit, 16 shtator 2022, Protokollin e Montrealit mbi Substancat që Hollojnë shtresën e Ozonit dhe rëndësinë e mbrojtjes së shtresës së ozonit. Përfaqësuesi i NOU në bashkëpunim me mësuesit e “Qendrës Komunitare Multidisiplinare” u shpjegoi fëmijëve se çfarë është shtresa e ozonit dhe pse duhet mbrojtur. U shfaqën video për fëmijë, si “Guardians of the Galaxy: Heroes të Ozonit”, “Ozzy Ozone” dhe “Ozone Layer & Hole”. I pranishëm ishte edhe një animator i cili argëtoi fëmijët me këngë, valle dhe lojëra të ndryshme, duke u dhuruar atyre një ditë shumë argëtuese.
Gjatë pjesës së dytë të aktivitetit, fëmijët punuan mbi piktura të ndryshme kushtuar mbrojtjes së qytetit të tyre dhe rëndësisë së mbrojtjes së shtresës së ozonit, duke shprehur ndjenjat e tyre dhe duke theksuar se kjo ishte një ditë e vecantë për ta. Përfaqësuesit e “Qendrës Komunitare Multidisiplinare” theksuan se informimi dhe edukimi i fëmijëve përmes argëtimit është një sukses, i cili do të arrijë edhe tek familjet e tyre.