Në datën 18 shtator 2023, përfaqësuesit e Njësisë Kombëtare të Ozonit dhe “ABC TIRANA CLUB” zhvilluan fushatën sensibilizuese “Protokolli i Montrealit: Rregullimi i shtresës së ozonit dhe reduktimi i ndryshimeve klimatike” kushtuar Ditës Botërore të Ozonit, 16 shtator 2023. Qëllimi kryesor i kësaj fushate ishte ndërgjegjësimi i fëmijëve lidhur me mbrojtjen e shtresës së ozonit. Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim me shkollën e mesme “Petro Nini” në Tiranë nën kujdesin e veçantë të mësueses së letërsisë znj. Ariana Osmani. Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 2 nxënës të shkollës së mesme “Petro Nini” në Tiranë.

Gjatë fjalës së hapjes, koordinatori i Njësisë Kombëtare të Ozonit shpalosi një pasqyrë të përgjithshme të rolit, qëllimeve dhe funksionit të këtij institucioni dhe aktiviteteve kushtuar Ditës Botërore të Ozonit 2023. Në pjesën e parë të këtij aktiviteti u organizua një sesion informues në lidhje me Ditën Botërore të Ozonit më 16 shtator 2023, Protokollin e Montrealit mbi Substancat që Dëmtojnë Shtresën e Ozonit. Përfaqësuesit e Nj.K.O. në bashkëpunim me mësuesit e gjimnazit “Petro Nini” u shpjeguan fëmijëve se çfarë është shtresa e ozonit dhe pse duhet mbrojtur.

Në pjesën e dytë u zhvillua aktiviteti “Dëgjoni Esenë time” si edicioni i tretë i projektit rinor “Miqtë e Klimës” organizuar nga ABC Tirana Club dhe Njësia Kombëtare e Ozonit. Nxënësit kishin përgatitur Ese mbi ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e shtresës së ozonit, si dhe sfidat me të cilat përballet njerëzimi ndaj këtyre dukurive globale. Esetë e studentëve do të botohen në një broshurë, për t’u shpërndarë me tej studentëve, mësuesve, prindërve, përfaqësuesve të shoqërisë civile, etj. Në fund u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe certifikatave.

Z. Johan Muka, Drejtor Ekzekutiv i “ABC TIRANA CLUB”, theksoi se në aktivitetet e organizuara në bashkëpunim me Nj.K.O. përveç informacionit që nxënësit marrin mbi Shtresën e Ozonit, Konventën e Vjenës dhe Protokollin e Montrealit, krijohet një atmosferë frymëzuese për rininë, e cila ndjehet mirë duke u bërë pjesë e përpjekjes mbarëbotërore për mbrojtjen e shtresës së ozonit.